Kosova

Qytetarët apel Qeverisë për 1 Maj: Marrëveshje kolektive tani, jo para zgjedhjeve

Me moton “Punëtore e punëtorë kundër shtypjes”, dhjetëra qytetarë marshuan në Sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, për të shprehur pakënaqësitë e tyre ndaj trajtimit të punëtorëve në Kosovë.
Nënkryetari i Sindikatës së Koorporatës Energjetike të Kosovës, Nexhat Llumnica, tha para protestuesve se Kosova është një nga shtetet më të varfra në rajon si dhe punëtorët e sektorit privat janë më të shtypurit.
“Dihet që Kosova është ndër shtete më të shkelura ndërsa pjesëmarrja në protesta e vogël. Punëtorët janë të shtypur tej mase prandaj nuk protestojnë. Mos të largohen nga puna padrejtësisht”, thanë protestuesit.
“Të bëjnë marrëveshjen kolektive tani jo para zgjedhjeve”, kërkuan ata.
Gjithashtu kërkesë e Llumnicës është edhe njohja e viteve të punës në vitet ‘90 si dhe rinovimi i kontratës kolektive.
“Kërkesë tjetër e jona është njohja e viteve të punës në vitet 1990. Të gjitha ata që kanë punuar në ato vite të ju njihet kjo e drejtë e punës. Dhe lus qeverinë e re që së shpejti të filloj me këtë procedurë. Kemi kontratën kolektive e cila nuk është aprovuar qysh në vitin 2018, kërkojmë që të rinovohet kjo kontratë. Zbatimi i ligjit të punës, besoj që punëdhënësit nuk e kanë lexuar ligjin e punës, pasi është duke u shkelur ky ligj”, tha ndër të tjera, Llumnica.
Kjo protestë është organizuar nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, Grupi Anarko-Sindikalist i Prishtinës dhe Myriad. Ndërsa protestës i janë bashkuar edhe disa sindikata.

Punëtorët e komunikacionit kërkojnë që paga minimale të jetë 400 euro
Edhe punëtorët e sektorit të komunikacionit në Kosovë kanë marshuar drejt Qeverisë për të shprehur pakënaqësistë e tyre dhe shkeljen e të drejtave në punë.
Alush Sejdiu, Kryetar i Federatës për Komunikacion dhe Lidhje të Kosovës, ka thënë se kërkesat e këtij sektori janë të shumta.
“Përveç COVID-19, punëtoret ballafaqohen me shkeljet e të drejtave më elementare duke filluar prej largimit nga puna, paga minimale është e ulët, kemi mosrespektim të kontratës kolektive, mosrespektim të ligjit të punës dhe deri tek mosrespektimi i orarit”, ka thënë Sejdiu, raporton Ekonomia Online
Ai thotë se kërkesa e tyre ndaj Qeverisë është respektimi i ligjit dhe paga minimale të jetë se paku 400 euro.
“Kërkesa jonë ndaj Qeverisë është respektimi i ligjit dhe marrja e masave ndaj punëdhënësve, të cilët i shkelin të drejtat e punëtorëve të garantuara me ligj. Paga minimale duhet të jetë së paku 400 euro, të zbatohet 0.5% e përvojës së punës dhe orari i punës të respektohet dhe për çdo shtesë të kompensohen punëtorët e të garantohet transporti”.
Punëtorët e sektorit privat kërkojnë rritje të pagës minimale dhe Gjykatë të Punës
“Ne nuk jemi rob por punëtorë” e “Stop diskriminimit”, ishin disa nga mbishkrimet e vendosura në pankarta të Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat e Kosovës, të cilët kanë protestuar për shkak të gjendjes së rëndë të punëtorëve të sektorit privat.
Protesta ka nisur në sheshin “Zahir Pajazitit” për të vazhduar deri te Teatri Kombëtar.
Punëtorët e sektorit privat kanë kërkuar pagë minimale prej 300 euro dhe po ashtu respektim të Ligjit të Punës.
“1 Maji, punëtorët e Kosovës po i gjen në një pozitë shumë të rëndë, të përbuzur dhe të injoruar nga institucionet dhe nga punëdhënësit, prej vitit 1985 kur për herë të parë pas një sakrifice të madhe u vendosen disa të drejta elementare për punëtorët. Një prej këtyre të drejtave elementare është orari i punës. Kjo është një marshim, protesta paralajmëruese për arsye se nëse vazhdohet me këtë trend të papërgjegjësisë, ne nuk do të ndalemi me protesta”, kanë thënë protestuesit.
Ata kanë kërkuar po ashtu të formohet Gjykata e Punës e cila do të merrej vetëm me kontestet e punëtorëve në vendin e tyre të punës.
Në shenjë simbolike, punëtorët e sektorit privat kanë hedhur në tokë mjete mbrojtëse të punës si dhe kanë vendosur pankartat e tyre afër ndërtesës së Qeverisë së Kosovës. /Zëri, Ekonomia Online,


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë