Kosova

Kurti sfidon SHBA nga Brukseli: Nuk e zbatojmë marrëveshjen e Shtëpisë së Bardhë

Duke folur nga selia e Parlamentit Europian në Bruksel, kryeministri Albin Kurti hodhi poshtë marrëveshjen e Uashingtonit mes Kosovës dhe Serbisë, duke deklaruar se ky pakt nuk do të zbatohej nga qeveria e tij.

“Marrëveshjet e 4 shtatorit janë zotime të dyfishta dhe bilaterale me një listë zotimesh. Nuk kam parë asnjëherë në jetën time një faqe e gjysmë zotime. Sikur të ndodhte që gjatë shkrimit të tyre dikush të thotë mos keni harruar edhe atë ose atë tjetrën. Nuk besoj që është menduar të implementohet”, tha Kurti, duke marrë edhe mbështetjen e shumë eurodeputetëve.

Deklarata e Kurtit duket se vjen jo vetëm si një sfidë ndaj hartuesit të kësaj marrëveshjeje, Richard Grenell, por edhe ndaj administratës së re. Më 4 shtator të vitit 2020, Kosova dhe Serbia nënshkruan në Shtëpinë e Bardhë marrëveshjen e normalizimit ekonomik të ndërmjetësuar nga ish-presidenti Donald Trump.

Por, pavarësisht pretendimeve se kjo marrëveshje mund të shfuqizohej me largimin e presidentit Donald Trump,  Sekretari amerikan i shtetit në administratën e Joe Biden ka shprehur përkrahjene  tij për këtë pakt. Deklarata e Kurtit vjen ndërkohë që  edhe aktorë tjerë të lartë amerikanë kanë këshilluar zbatimin e kësaj marrëveshjeje si hapin e parë të normalizimit të marrëdhënieve.

Qendrimi i Kurtit nuk është në fakt çudi. Partitë e koalicionit qeverisës (Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate) e konsideruan këtë marrëveshje si historike, por Lëvizja Vetëvendosje e kundërshtoi ashpër këtë marrëveshje, duke e konsideruar si një pakt në dëm të Kosovës. Reagimi zyrtar i Lëvizjes Vetëvendosje pas nënshkrimit të kësaj marrëveshje ishte i ashpër, duke e cilësuar si ekonomizim të dështimit të shkëmbimit të territoreve dhe duke ndjekur linjën e deklaratave të Albin Kurtitse në Shtëpinë e Bardhë ka “thika mbi harta”.

Kështu, kjo linjë diskursi u përcoll edhe në opinionin publik. Madje, kundërshtimet ndaj marrëveshjes së Uashingtonit shkuan edhe më tutje me një sërë zyrtarësh në Kosovë që mendojnë se marrëveshja të shfuqizohet pasi Trump të mos jetë më president i SHBA-ve. Por, deklaratat e Administratës Biden pas ardhjes në pushtet, sinjalizonte se Shtëpia e Bardhë po mendon seriozisht zbatimin e saj.

Anthony Blinken, Sekretari i ri Amerikan i Shtetit në administratën e presidentit të ri, Joe Biden i cili ka duartrokitur angazhimin e administratës së ish-presidentit Trump për zgjidhjen e problemit midis Kosovës dhe Serbisë. Gjatë një seance të konfirmimit të mbajtur në Komitetin për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit amerikan, ai u pyet nga senatori Ron Johnson në lidhje me marrëveshjen për normalizimin e raporteve Kosovë- Serbi të nënshkruar në Uashington. Johnson tha se gjërat nuk po përmirësoheshin derisa nuk u paraqit Richard Grenell me idenë e normalizimit të raporteve ekonomike.

“Ju përmendet edhe punën që është bërë për Kosovën dhe Serbinë. Unë e duartrokas. Presidenti i zgjedhur (Joe Biden) ka kaluar shumë kohë në këto vende në të kaluarën dhe mendoj se ndan bindjet për gjërat që mund të bëjmë për të ndihmuar Kosovën që të lëvizë përpara dhe gjithashtu me shpresë edhe Serbinë”, tha Blinken.

Albin Kurti dhe i dërguari i posaçëm i SHBA për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell. Gazeta Si, 2020

Por, përveç tij, edhe dy zyrtarë të lartë amerikanë kanë dhënë sinjale se marrëveshja e 4 shtatorit në Uashington do të jetë e paprekshme. Ambasadori amerikan në Kosovë Philipp Kosnett dhe Mattheë Palmer, Zëvendës-Ndihmës Sekretar në Departamentin Amerikan të Shtetit dhe Përfaqësues Special për Ballkanin kanë pasur deklarata të njëjta lidhur me këtë çështje.

Kosnett në një intervistë për Televizionin Publik të Kosovës, iu referua deklaratës së Blinken, duke shtuar se Marrëveshja e Uashingtonit është në fuqi derisa të ketë një ndryshim të mundshëm (jo të domosdoshëm) në të ardhmen.

Në vijë me këtë deklaratë ka qëndruar edhe Zëvendës-Ndihmës Sekretar në Departamentin Amerikan të Shtetit dhe Përfaqësues Special për Ballkanin, Matthew Palmer. Gjatë një bisede telefonike me ministren në detyrë të Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, është shprehur se qëndron i fokusuar në vazhdimin e implementimit të marrëveshjes së Uashingtonit. Me theks të veçantë, ai ka përmendur formalizimin e marrëdhënieve diplomatike midis Kosovës dhe Izraelit që ishte një ndër pikat e marrëveshjes në Uashington.

Marrëveshja e 4 shtatorit e vitit të kaluar parashihte normalizimin e marrëdhënieve ekonomike midis Kosovës dhe Serbisë dhe disa pika të tjera të cilat lidhen me mirëqenien qytetare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë