Kosova

Kurti në PE: BE të shpëtojë dhe të ndërtojë Ballkanin Perëndimor

Duke folur në Komitetin për Punë të Jashtme të Parlamentit Europian, kryeministri i Kosovës Albin Kurti u shpreh se tashmë ka ardhur koha që Bashkimi Europian të shpëtojë dhe të ndërtojë Ballkanin Perëndimor.

Kurti gjithashtu theksoi se historia nuk duhet të injorohet, duke shtuar se Kosova duhet të trajtohet si anëtare dhe jo si fqinje.

“Nuk mund të injorojmë historinë. E falënderoj këtë institucion që ka qëndruar lart për Kosovën dhe përpjekjen për të avancuar Kosovën në rrugën e Europiane, por Kosova duhet të fitojë liberalizimin e vizave.  Duhet të rrisim bashkëpunimin rajonale që procesi i anëtarësimit të jetë më i shpejtë, ne duhet të trajtohemi si anëtarë dhe jo si fqinjë.

Unë besoj që është në interes të BE dhe Europës që të ndalin me një plan mini-marshall që do të përshpejtonte Europën. Është koha e BE-së që të shpëtojë dhe të ndërtojë Ballkanin Perëndimor”, tha Kurti.

Gjatë fjalës së tij ai theksoi se i qëndron dialogut me parime të drejtë dhe të barabartë.

“Së pari është pranimi i realitetit. Pavarësia e Kosovës në bazë të Ahtisarit, dhe hapja e kësaj pako do të thotë hapje e listës së dëshirave dhe shkëputjeve që do të çonin në ngjarje të paparashikuara.

E dyta është pranimi i të vërtetës. Serbia duhet të pranoj krimet e të kaluarës. Për të parandaluar gjenocidin NATO është dashur ta bombardoj Beogradin sepse ishte ai me regjimin e tij që kishte kryer gjenocid në Kosovë. Kishte aparat shtetëror dhe zyrtar qeveritar dhe një zinxhir komande, por edhe pas luftës në Kosovë qeveria e re në Serbi nuk është distancuar nga Millosheviçi dhe krimet e të kaluarës. Duke mos u distancuar nga krimet e luftës Serbia po identifikohet në to.

Së treti është barazia e përfaqësuesve, në çdo tryezë ulemi si të barabartë për të zgjidhur çështjet… Parimi i katërt është se qytetarët duhet të jenë përfitues përfundimtar”, tha kryeministri i Kosovës.

Gjithashtu Kurti, shtoi se Kosova do normalizim të marrëdhënieve me Serbinë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë