Kosova

Kurti kërkon anëtarësimin e Kosovës në NATO: Do ta bëjë Ballkanin më të sigurt

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po vazhdon sot takimet në Bruksel, ku u takua me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg. Kurti tha se në këtë takim theksoi rëndësinë e prezencës së NATO-s në Kosovë si dhe shtoi se anëtarësimi i Kosovës në këtë aleancës do ta bënte rajonin dhe Europën “më të sigurt”.

“NATO është aleanca më e mirë e sigurisë që bota ka parë. Në takim me sekretarin Stoltenberg theksova se prezenca e saj në Kosovë është e domosdoshme për të mbajtur paqen dhe për të ofruar siguri, dhe anëtarësimi i Kosovës në NATO do ta bënte rajonin dhe Evropën më të sigurt”, tha Kurti përmes një postimi në Twitter.

Gjatë ditës, Kurti do të takohet me presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, me komisionerin për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi si dhe me shefin e diplomacisë së BE-së, Josep Borrell.

Kurti në vizitën e tij të parë në Bruksel po ashtu do të marrë pjesë në një seancë të Komisionit për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian.

Të mërkurën, delegacioni i Kosovës, që përbëhet nga Kurti dhe dy zëvendësit e tij, Donika Gërvalla dhe Besnik Bislimi, kanë takuar komisionerë të BE-së për çështje ekonomike, energji, bujqësi, zhvillim rural dhe financa, ndërkaq gjatë ditës së sotme, takimet do të jenë më shumë të karakterit politik.

Mbrëmjen e së mërkurës, Kurti u takua edhe me të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, dhe siç njoftoi Qeveria e Kosovës, në këtë takim, Kurti ka thënë se dialogu do të jetë parimor dhe i përgatitur mirë.

“Bisedime konstruktive me të dërguarin e BE-së, Miroslav Lajçak. E kam ripohuar se dialogu duhet të jetë parimor dhe i përgatitur mirë. Duhet të pranojë realitetin e të vërtetën, të jetë i barabartë dhe t’u adresohet çështjeve të pazgjidhura, e jo të krijojë çështje të reja”, ka shkruar Kurti në Twitter pas atij takimi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë