Video e publikuar vetëm dy ditë pas vrasjes në Elbasan ka hedhur dritëhije të forta mbi Partinë Demokratike. Sikur të mos mjaftonte njolla e Elbasanit, humbja e një jete, për të cilën Partia Demokratike ende nuk ka kërkuar ndjesë, një kryetar liste në një qark të vendit shihet të deklarojë se mjafton një telefonatë që grupet e armatosura të mbrotjes së votës ti tregojnë edhe të tjerëve vendin si viktimës në Elbasan. Pra, pushkatim pa gjyq nga struktura paralele. Këto struktura që ndoshta po i japin moral militantëve, por po ngjallin reaksion në pjesën gri të zgjedhësve.
Në një vend anëtar të NATO-s dhe aspirant në BE, siç tha edhe ambasadorja amerikane, struktura të tilla i takojnë të shkuarës. Ato nuk i bëjnë nder jo vetëm vendit, nuk i bëjnë nder dhe nuk i sjellin vota as vetë Partisë Demokratike. As Lulzim Bashës. Nëse këto struktura, këta njerëz, që me apo justifikim kanë të drejtë të janë një element i ndryshimit, atëherë më mirë kështu siç jemi. Nëse ndryshimi është të na kthejë në të kaluarën, ku sot në zgjedhje, apo nesër pas zgjedhjeve, çdo njeri me pushtet dhe mbrotje politike dërgon një grup njerëzish të marrin jetë njerëzish, Shqipëria nuk ka nevojë të kthehet në epokën e kanunit të Lek Dukagjinit.
Prandaj, nëse zgjedhja është mes gjakut të paramilitarëve të mbrojtjes së votës, frikës për të ecur në rrugë se dikush të bën gjyqin pa gjyq, se mund të hash edhe ndonjë plumb qorr ngaqë ndodhesh në vendin dhe momentin e gabuar, dhe gjithçkaje tjetër, është më mirë e dyta. Më mirë gjithçka tjetër që nuk të merr jetën me një telefonatë te shtabi i partisë, që nëse sot vishet me mbrotje politike, nesër kthehet në rutinë-shtet.
Për këtë arsye, për të dhënë një sinjal të fortë, për të kthyer qytetarinë, Lulzim Basha duhet ti kërkojë dorëheqjen Xhelal Mziut. Në mënyrë që njerëzit të besojnë vërtet pendesën e tij, por më kryesorja akoma të kthejnë sadopak besimin edhe te Partia Demokratike. Votën nuk e mbron një ushtar me patllake në brez. Nëse ka frymë, vota mbron veten dhe shoqërinë. Nëse fryma të kthehet kundër, nuk ka furgona “të mbrojtjes” së votës, sado të shtijnë, të të sjellin fitoren.
Gjuha kocka nuk ka, po kocka thyen. Nëse vërsul njerëzit rrugëve dhe i motivon ata edhe pas një vrasje në Elbasan, ndjesa nuk kthen më jetën që u merr njerëzve. As heshja apo mbrojtja e heroizimi i vrasësit dhe balta mbi të vdekurin. Nëse në Dibër ndodh diçka në zgjedhje, nuk është fajtor Xhelal Mziu, por Lulzim Basha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.