Drejtësia

Bilanci i SPAK-ut për krimet zgjedhore, PD dhe Meta “kampionë” për denoncime

Në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, janë dorëzuar 91 kallëzime për krimet zgjedhore, ku më shumë nga të gjitha partitë, i ka bërë PD-ja.

Pas saj, vjen Institucioni i Presidentit të Republikës, i cili ka raportuar 18 raste të tilla.

Bëhet fjalë për kallëzime që lidhen me veprat penale në fushën e zgjedhjeve, “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” dhe “Korrupsioni pasiv në zgjedhje”, që janë kompetencë hetimi të kësaj prokurorie.

Sipas SPAK, në periudhën mars–prill 2021, janë paraqitur një numër i konsiderueshëm kallëzimesh nga subjekte politike, shtetas të ndryshëm dhe policia gjyqësore në Drejtoritë Vendore të Policisë Shtetit.

“Për të gjitha rastet që është filluar procedim penal, policia gjyqësore nën drejtimin e prokurorëve të posaçëm është duke kryer të gjitha veprimet e nevojshme hetimore me qëllim sqarimin e plotë të fakteve të kallëzuara dhe vënien para përgjegjësisë penale të personave ndaj të cilëve do provohet përfshirja në korrupsion aktiv apo pasiv në zgjedhje”, – thuhet në njoftimin e SPAK-ut.

Ky i fundit, thekson se janë paraqitur 91 materiale deri më datë 22.4.2021, të specifikuara sipas subjekteve që i kanë paraqitur:

Subjekte politike 55 raste, kallëzime (PD–50; LSI–3; PS–1; FRD–1)

• Policia gjyqësore 10 raste, referime.

• Prokuroritë e Rretheve Gjyqësore 4 raste, procedime penale.

• Shtetas 4 raste, kallëzime.

• Institucioni i Presidentit të Republikës 18 raste, informacione.

Për rastet e paraqitura është dhënë zgjidhja deri me datë 22.04.2021 si më poshtë :

Janë regjistruar 32 procedime penale për të cilat vazhdon hetimi.

• Është vendosur në 7 raste mosfillimi i procedimit penal.

• Janë dërguar për verifikime paraprake në Policinë e Shtetit 15 raste.

• Janë dërguar për kompetencë prokurorive të rretheve gjyqësore 23 raste.

• Janë në proces verifikimi nga prokurorët e posaçëm 14 raste.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë