Ekonomi

Sejko: Shqipëria kthesë në rimëkëmbjen e ekonomisë, por ka akoma rrezik

Në një takim të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë Gent Sejko me Komisionin e Ekonomisë dhe Financave, ai u shpreh se masat e marra në vendin tonë përgjatë pandemisë po japin ndikim pozitiv, ndonëse ka akoma pak pasiguri për të ardhmen.

Ai tha se Banka e Shqipërisë parashikon se ekonomia shqiptare do të shënojë një kthesë drejt rimëkëmbjes gjatë vitit 2021, me reduktimin gradual të ndikimit negativ të pandemisë. Rritja ekonomike do të ndihmojë në shtimin e presioneve inflacioniste dhe kthimin e inflacionit në objektiv, brenda vitit 2022.

Më tej, lidhur me sektorin bankar në vend, Guvernatori theksoi se ai është i mirëkapitalizuar, solid dhe me tregues të mirë të likuiditetit e të shëndetit financiar. Ai nënvizoi se ky sektor ka ndihmuar në zbutjen e pasojave të goditjes së pandemisë, duke marrë përsipër një pjesë të barrës financiare të saj, si dhe duke ruajtur në të njëjtën kohë të gjithë treguesit në parametra të shëndetshëm.

Normat e ulëta të interesit dhe likuiditeti i bollshëm u shoqëruan me një rritje mesatare prej 6.7% të portofolit të kredisë gjatë vitit 2020, duke mbështetur vijimin e investimeve dhe nevojat në rritje të ekonomisë për kapital qarkullues. Aktivet e sektorit bankar u rritën me rreth 7%, si dhe raporti i kredive me probleme zbriti në nivelin 8.1% në fund të muajit dhjetor, një nivel ky pranë minimumeve historike të dekadës së fundit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë