Ekonomi

Ramazani thellon krizën e bar-restoranteve, rënie me 40 %

Nëse nuk vaksinohen stafet, rrezikohet sezoni

Komiteti i Ekspertëve nuk e tkurri kufizimin e orës policore sepse mendoi për bizneset, por e bëri për muajin e Ramazanit.
Kështu beson Enri Jahaj, kreu i Shoqatës së Bar Restoranteve në Shqipëri duke u shprehur për Gazeta Si se ky qe vendim politik.
Ai thotë se pasojat e krizës së COVID-19 për sektorin, po thellohen dhe nuk ka mundësi të shohë me optimizëm kah e ardhmja. Jahaj tregon se sektori ka rënë këtë muaj me 40%.
“Shtyrja e orarit nuk ka ndikuar për mirë në aktivitetin e Bar-Restoranteve, sepse nuk u bë për ne, u bë për shkak të Ramazanit dhe ne këtë muaj kemi një rënie rreth 40 %, pasi ka rënie të ndjeshme dreka dhe darka për shkak të kushteve, nuk funksionon. Po kështu edhe për ata që shesin alkool, pasi shumica e njerëzve edhe jo besimtarë mbajnë Ramazan edhe për arsye detox”- shprehet Jahaj për Gazeta “Si”.
Ai parashikon që sezoni turistik do të jetë sërish në pikëpyetje nëse nuk vaksionohen stafet e shërbimit të bar-restoranteve.
“Sezoni që po vjen nëse nuk merren masa për vaksinimin e stafeve, nuk besoj të kemi gjë në vijë dhe po nuk u hap muzika deri në orën 22:00. Pasi ne jemi hapur deri në orën 22:00, por muzikën e mbyllim në orën 20:00”-shprehet kreu i Shoqatës së Bar-Restoranteve.
Ai mendon që edhe viti elektoral, si vit i pasigurt, me një pandemi ende nëpër këmbë e cila ka humbur shumë vende pune dhe ka lënë një frikë psikologjike, pak para në qarkullim, njerëzit i kaanë ulur shpenzimet e argëtimit.
Pavarësisht se një vit me shumë kufizime, pesha e “Arteë argëtim dhe çlodhje; Aktivitete të tjera shërbimi”, mbeti e pandryshuar në 2.3% si pjesë ndikimi në ekonominë shqiptare, pasi mungesa e udhëtimeve jashtë u kompensua me turizmin e brendshëm.
Por bar- restorantet u goditën fort duke larguar nga puna rrrth 30% të personelit. Ekonomia në total ra me 3.3% në 2020-ën, më pak se pritshmëritë fillestare që varionin mes -4.5 dhe -9%.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë