Kosova

Masat e reja në Kosovë, rikthehet ora policore, mbyllen për dy javë restorantet

Qeveria e drejtuar nga Albin Kurti ka vendosur masa të reja kufizuese me qëllim parandalimin e përhapjes së infektimeve nga Covid-19.

Kabineti “Kurti” ka vendosur kufizim të lëvizjes nga ora 22:00 deri në orën 5 të mëngjesit.

Është marrë gjithashtu vendimi për mbylljen për 12 ditë të restoranteve, qendrave tregtare, palestrave dhe shkollave si dhe ndalohen grumbullimet deri në 10 persona.

Ndalohet veprimtaria e qendrave të mbyllura tregtare, përveç shërbimeve esenciale, siç janë dyqanet ushqimore dhe farmacitë, nga data 7 prill deri më datë 18 prill.

Në qendrat e hapura tregtare lejohet aktiviteti duke i respektuar masat dhe rekomandimet për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID – 19.

Gjithashtu, institucionet publike dhe private të arsimit parauniversitar do kalojnë online nga 12 deri më 18 prill ndërsa ato universitare nga 6 deri më 18 prill.

Sipas njoftimit, shërbimet e gastronomisë obligohen të pezullojnë aktivitetin e tyre nga data 6 prill deri me datë 18 prill. “Shërbimet e gastronomisë lejohen të punojnë vetëm me shërbim “merr me vete”, “dërgesë me porosi” dhe “drive-through”.

Ndërsa mbajtja e maskës duke mbuluar hundën dhe gojën është detyruese, në të gjitha rastet përveç:

– Gjatë drejtimit së automjetit vetëm apo me anëtarët e ngushtë të familjes;

– Gjatë vrapit dhe çiklimit;

– Gjatë ecjeve jashtë zonave të banuara dhe jo në grupe me më shumë se 4 persona të të njëjtës familje.

11 persona kanë ndërruar jetë në 24 orët e fundit në Kosovë nga Covid-19, ndërkaq janë konfirmuar 512 raste pozitive.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë