Presidentja e sapozgjedhur e Kosovës, Vjosa Osmani është presidentja me legjitimitetin më të madh qytetar, por njëkohësisht është edhe me përgjegjësitë më të mëdha historike në këto 22 vjetët e fundit. Vetëm disa minuta pas votimit nga Kuvendi, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dërguan mesazhet e urimit për presidenten e re, duke i kujtuar se për ta detyra më e rëndësishme e kryetares së shtetit do të ishte dialogu me Serbinë.
“BE-ja mirëpret që të punojë ngushtë me presidenten Osmani dhe me institucioniet e sapokonsoliduara të Kosovës. Kosova tani duhet të rinisë reformat e lidhura me BE-në dhe në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja”, tha në një reagim Zyra e BE-së në Kosovë.
Edhe pse Albin Kurti ka premtuar që dialogu do të udhëhiqet nga zyra e kryeministrit, ekspertet paraljmërojnë se kjo detyrë e rëndësishme do të ndahet mes dy palëve. Deri në largimin e tij, bisedimet me Serbinë ishin udhëhequr nga ish-presidenti Hashim Thaci, i cili mendohet se arriti edhe një marrëveshjeje prapa skene me presidentin serb, Aleksandër Vuccicc. Gjatë kohës që Thaci ishte në detyrë, presidenca dhe kryeministria nuk kanë qënë kurrë të unifikuara përballë Serbisë, por ardhjen në pushtet në koalicionit Kurti-Osmani, kjo do të ndryshojë. Kreu i Vetëvendosjes po punon për krijimin e një negociatorësh për dialogun, por edhe pse ka premuar së marrëveshja me Serbinë do të jetë detyrë e qeverisë, nuk e ka përjashtuar në asnjë moment nga ky proces, duke thënë se roli i saj si presidente do të jetë e padiskutueshme.
Analisti Florim Zeqa i thotë Gazetës Si se finalizimi i procesit të negociatave Kosovë–Serbi dhe Asociacioni i komunave me shumicë serbe do të jenë sfidat e para me të cilat do të përballen Kurti dhe Osmani.
“Pa anashkaluar premtimin elektoral për luftimin e krimit të organizuar dhe i korrupsionit, nepotizmit dhe haraçit legal dhe ilegal në institucionet e larta shtetërore, përballja e dialogut Kosovë–Serbi do të jetë sfida më urgjente dhe e pashmangshme para së cilës do të ndodhet ‘Qeveria Kurti’.

Edhe pse Albin Kurti nuk e pëlqen, dialogu Kosovë-Serbi do të vazhdojë aty ku ka mbetur, pikërisht nga takimi i 4 shtatorit të vitit të kaluar në Uashington, ku u nënshkruan një mori marrëveshjesh me palës kosovare dhe asaj serbe me ndërmjetësimin e ish presidentit amerikan Donald Trump. Duket qartë se qasja e Osmanit dhe Albin Kurtit ndaj dialogut me Serbinë dhe raporteve me bashkësinë ndërkombëtare kanë ndryshuar që në ditën e parë të qeverisjes. Edhe pse fushatës, Albin Kurti dialogun me Serbinë e konsideronte si prioritet të katërt apo të gjashtë, pas marrjes së detyrës e ka prioritetin e parë dhe të pakalueshëm”, i thotë ai gazetës.
Detyra e dialogut duket se do të jetë në fakt sfida më e mënjehershme e Osmanit. Dy javë më parë, përfaqësuesi i Posaçëm, Bashkimit Europian për dialogun, Mirosllav Lajçak tha se marrëveshja gjithëpërfshirëse Kosovë-Serbi të arrihet disa muaj nga fillimi i mandatit qeverisës të Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit.
Pas një takimi me Osmani, ai tha se edhe BE-ja pret vazhdimin e dialogut
“E kam thënë edhe në të kaluarën dhe e po e përsëris se ky proces do të mund të përmbyllet brenda disa muajve, nuk kërkon vite që të arrihet marrëveshja. Por, ne nuk jemi ata që po nxitojmë ose ata që e ngadalësojnë procesin. Janë Kosova dhe Serbia që vendosin se sa shpejtë duan të procedojnë. Nëse duan të takohen na baza mujore, ne jemi aty”, u shpreh Lajçak.
Por si do të jetë dialogu nën udhëheqjen e Osmanit?
Në fjalimin e saj të parë si presidente, Vjosa ka falënderuar aleatët e Kosovës, të cilët e kanë mbështetur ndër vite në rrugën drejt lirisë, pavarësisë dhe shtet ndërtimit. Ajo tha se Kosova gjithmonë është mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Europian, Mbretëria e Bashkuar dhe Shqipëria dhe u bëri thirrje aleatëve që të vazhdojnë të qëndrojnë pranë Kosovës për integrimin euro-atlantik. Presidentja foli edhe për dialogun me Serbinë, duke thënë se paqja “do të arrihet vetëm nëse shohim pendesë nga Serbia”.

Osmani tha se drejtësi për Kosovën nuk mund të ketë derisa Serbia nuk do të sjellë para drejtësisë kriminelët që kryen krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid ndaj popullit të Kosovës”. Ajo po ashtu tha do të punojë që gjatë negociatave me Serbinë të respektohet Kushtetuta e Kosovës. Kjo deklaratë është pritur ashpër nga mediat serbe, të cilat nuk janë kursyer duke e quajtur Osmanin një “gjarpër në krye të shtetit”.
Kur ishte krye parlamentare, Osmani ka kërkuar vazhdimisht që para nisjes së dialogut, të gjitha forcat politike të unifikohen rreth një qëndrimi të vetëm.
“Deri tani ka pasur laramani qëndrimesh, madje edhe brenda koalicionin qeverisës që është për të ardhur keq, e lëre më të një spektri edhe më të gjerë politik”, ka deklaruar Osmani disa muaj para zgjedhjeve. “Prandaj ka ardhur koha që të gjitha forcat politike në parlamentin e Kosovës të ulen dhe të diskutojnë lidhur me qëndrimet e Kosovës për secilën temë, për secilën pikë dhe jo të vendoset pastaj parlamneti në situata të ngjajshme me ato të vitit 2013 kur merret vesh se çka po nënshkruhet vetëm pak minuta para ratifikimit”, shtoi Osmani.
Ashtu si Kurti, edhe Osmani e ka bërë të qartë se me Serbinë do të diskutohej vetëm për njohjen reciproke. Nga cilësia e Kryetares së Kuvendit, Osmani ua ka bërë të qartë secilës qeveri se cilat javë vijat e kuqe, lidhur me temat që nuk do të duhej të diskutoheshin me Serbinë, duke thënë se , sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit është i paprekshëm. “Duhet të sigurohemi që të respektohen vijat e kuqe që vendosen nga parlamenti. Nuk lejohet që të negociohet me kufijtë e Kosovës. Nuk ka çtë negociohet për statusin e Kosovës. Si presidente do të punoj shumë afër me opozitën me shoqërinë civile dhe mediat e me qytetarët që të kemi një mbështetje të plotë rreth këtij procesi”, tha ajo. “Serbia ngre kurthe duke hapur tema të tilla në Bruksel, fillimisht vetëm formalisht, por që pastaj shndërrohen në kompromise të reja për Republikën e Kosovës. Ne që e kemi përcjellë një kohë të gjatë dialogun e kemi parë se si kanë arritur deri këtu. Mirëpo gabimet nuk duhet të përsëriten”, deklaroi ajo.
Pas takimit me Lajçak disa javë më parë, Osmani ka paralajmëruar po ashtu rishkimin e marrëveshjeve të nënshkruara deri tani. “E bëra të qartë në emër të institucioneve të Kosovës që për ne procesi i dialogut duhet të rishikohet, një rishikim i cili ndër të tjera do të ndihmojë që Kosova të jetë e përgatitur dhe të respektojë interesat e saj dhe të qytetarëve në një proces që duhet të rezultojë në njohje reciproke në kufijtë aktual dhe me Kushtetutën aktuale të Kosovës. Është shumë me rëndësi që sapo të ngrihen institucionet e reja, të gjitha ato marrëveshje që janë arritur të shikohen pasi Serbia nuk i ka respektuar shumicën e marrëveshjeve”, paralajmëronte presidentja.
“Është koha që në Bruksel të kërkohet përgjegjësi nga Serbia e drejtësi për viktimat. Jo vetëm tani që po fillon përkujtimi i masakrave të shumta po deri në qershor nuk ka ditë që nuk përkujtojmë një masakër. Ne presim që dialogu të jetë mes dy palëve të barabarta”, ka shtuar Osmani.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




