Komisioni Rregullator shpalli moskompetencën për vendosjen e modelit të fletës së votimit dhe ja kaloi këtë detyrë Komisionerit të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi.
Rregullatori u mblodh mbrëmjen e kësaj të mërkure në përpjekjen e radhës për të vendosur për modelin e fletës së dorëzuar nga Ilirjan Celibashi për miratim, që kishte hequr dorë nga propozimi i parë, ku dy modele ishin me emra dhe një me numër.
Celibashi u paraqit para Rregullatorit këtë të mërkurë vetëm me një model me emra.
Përfaqësuesi socialist në këtë mbledhje, Eridian Salianji tha se Rregullatori nuk mund të vendosë për këtë çështje dhe duke cituar nenet e Kodit Zgjedhor u kërkoi anëtarëve të këtij Komisioni që t’ja kthejnë atë sërish Celibashit.
Pas hedhjes në votim nëse kjo ishte apo jo kompetencë e Rregullatorit, anëtarët e këtij komisioni votuan unanimisht që jo.
Ndërkohë, anëtari i Rregullatorit, Dritan Çaka i kërkoi Komisionerit të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi që të nisë menjëherë hetimet në lidhje me dyshimet se vaksinat po përdoren nga mazhoranca për fushatë elektorale.
“Komisioneri të ndalojë menjëherë propagandën dhe përdorimin e burimeve publike në mbështetje të një subjekti zgjedhor. Në aktin normativ për vaksinat parashikohet se vaksinat do të mbulohen nga buxheti, pra nga taksapaguesit shqiptarë. Pra, çfarë merite ka kryetari i PS dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës për vaksinat?! Ftoj Komisionerin të ndëmarrë një hetim të plotë, të thelluar dhe të menjëhershëm”, tha Çaka.
Ilirjan Celibashi iu përgjigj se do ta marrë në konsideratë menjëherë këtë çështje.
Komisioni Rregullator u mblodh edhe gjatë paradites së të martës për të vendosur për modelin e fletës së votimit. Në këtë mbledhje, Celibashi ka deklaruar se i takon Komisionit Rregullator të vendosë.
“Ju kam sjellë tre variante. Dy me emra kandidatësh dhe një ku kandidatët përfaqësohen me numra. Ju takon juve të vendosni”, tha Celibashi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.