Politike

Paqartësi mbi përllogaritjen e mandateve pas 25 prillit

Interpretimi ndryshe nga socialistët dhe ndryshe nga demokratët i nenit 167 të Kodit Zgjedhor, ku përcaktohet numri i kandidatëve për deputetë për secilin qark nuk është e vetmja ndasi mes palëve dhe nëse Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ndërhyn, përplasja mund të jetë edhe më e thellë pasa zgjedhjeve të 25 prillit.

Shkak mund të bëhet “paqartësia” dhe interpretimet e ndryshme të përcaktimeve të Kodit Zgjedhor sa i përket përllogaritjes dhe ndarjes së mandateve pas shpalljes së rezultatit të zgedhjeve. Nenet 162 dhe 163 të tij përcaktojnë përllogaritjen e mandateve dhe shpërndarjen e tyre.

Por, Instituti i Studimeve Politike vë në dukje mungesën e informimit të publikut nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. ISP vëren gjithashtu se interpretimet për formulën e llogaritjes dhe sidomos të ndarjes së mandateve janë kontradiktore me lexim të ndryshëm nga aktorët politikë.

Pyetjet që ngre Instituti janë nëse do të ketë renditje të kandidatëve fitues sipas votave përpara se të llogariten votat parapëlqyese, apo do të ruhet renditja listave? Do të ketë përllogaritje të mesatares votë/mandat në nivel qarku, apo në nivel kombëtar? Do të lejohen marrëveshjet e brendshme të partive për zhvendosje në renditje pas 25 prillit në varësi të votave, apo renditja në listë mbetet e pandryshuar?

Këtyre pyetjeve që ngre, ISP thotë se duhet t’u japë përgjigje sa më shpejt KQZ në mënyrë që të shmanget një përplasje e re edhe më kaotike se ajo për numrin e kandidatëve në lista.

Në këto rrethana, Instituti i Studimeve Politike i sugjeron KQZ-së të hartojë dhe publikojë metodologjinë e llogaritjes dhe të shpërndarjes së mandatave, duke informuar paraprakisht në fushatë partitë, kandidatët, zgjedhësit, median dhe vëzhguesit.

Problematika tjetër që vëren ISP lidhet me mungesën e parashikimeve në aktet e Komisionit Rregullator të masave mbrojtëse ndaj përhapjes së pandemisë,.

Rregullatori ka miratuar vendimin 11/2021 për KQV dhe votimin në QV, por në asnjë dispozitë të tij nuk ka trajtim për garanci lidhur me pjesëmarrjen, administrimin dhe veprime të tjera në respektim të masave anti-Covid.

Zgjidhja? Instituti i Studimeve Politike këshillon KQZ që të miratojë dispozita shtesë në aktet e miratuara për ngritjen dhe funksionimin të qendrave të votimit, për të rritur sigurinë e zgjedhësve, komisionerëve dhe vëzhguesve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë