Pas parkut të Karavastasë, kompania franceze Voltalia shpallet fituese edhe në ankandin për ndërtimin e parkut fotovoltaik të Spitallës.
Kompania ofroi shitjen e energjisë elektrike të prodhuar nga impianti që do të ndërtohet me çmimin 29.89 euro megavati, kundrejt 46 eurove që ofroi kompania kineze “Universal Energy”.
Parku do të jetë me kapacitet 100 megavat, nga të cilat shteti shqiptar do të blejë 70 megavat për 15 vitet e ardhshme, ndërsa 30 megavat kompania mund t’i shesë në tregun e lirë.
Kompania Voltalia u shpall fituese e ankandit për ndërtimin e parkut fotovoltaik të Karavastasë në maj të vitit të kaluar me ofertën 24.89 euro për megavat. Ky është çmimi më i ulët që ka mundur të sigurojë ndonjëherë Shqipëria dhe shumë konkurrues në tregun ndërkombëtar.
Investimi do t’i kushtojë kompanisë rreth 100 mln euro, ndërsa kapaciteti prodhues do të jetë 140 megavat, ku gjysma do të blihen me çmimin 24.89 euro nga shteti shqiptar dhe gjysma tjetër mund të shitet në treg të lirë nga vetë kompania.
Në garën për parkun e Spitallës shfaqën interes 5 kompani, që ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku i vlerësoi si ndër më të mëdhatë në këtë sektor dhe tregues se proceset e tilla në Shqipëri janë transparente dhe me garë të hapur.
Balluku tha se së shpejti do të hapen ankandet hibride për ndërtimin e parqeve që do të prodhojnë energji edhe nga dielli, edhe nga era me ndryshimin se shteti nuk do t’u ofrojë më tokën kompanive, por ato duhet ta gjejnë vetë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje