Politike

Thirrja e Yuri Kim për PS: Distancohuni nga Tom Doshi

Ambasadorja e SHBA në Tiranë përshëndet qëndrimin e Partisë Demokratike, që i kërkoi Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të mos regjistrojë si kandidat Tom Doshin dhe asnjë emër tjetër që është i përfshirë nga Departamenti i Shtetit si persona i padëshiruar.

Yuri Kim riktheu njoftimin e tre viteve më parë të DASh, ku njoftonte futjen e Doshit në listën e personave të padëshiruar në SHBA me dyshimet se është i përfshirë në afera korruptive madhore.

“Vlerësojmë Partinë Demokratike dhe të tjerë që nuk duan në Parlamentin e Shqipërisë dikë që për SHBA është i përfshirë në korrupsion domethënës”, thotë Kim.

Ambasadorja kërkon që i njëjti qëndrim të mbahet edhe nga të tjerët, duke ngritur më pas disa pyetje.

“Për të tjerët: nga se trembeni? A ju shërben heshtja? Pse i lini njerëzit të mendojnë se jeni aleatë? A është kjo ajo që meritojnë votuesit? Shqipëria meriton më të mirën”, mbyll reagimin e saj kryediplomatja e SHBA në Tiranë.

Para këtij reagimi në rrjetet sociale, Kim tha se mes kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 25 prillit ka disa emra shqetësues.

“Mendoj që ka emra për t’u shqetësuar. Por në përgjithësi më lejoni të them këtë gjë; mendoj që pjesa më e madhe e partive kanë bërë përmirësim në cilësinë e listave të tyre. Disa nga emrat (të përfolur) e dukshëm nuk janë përfshirë në to, por në të njëjtën kohë është edhe e qartë që mund të kishin bërë më mirë”, tha ambasadorja në një intervistë për televizionin ABC.

Kim tha se e ka në dorë KQZ dhe prokuroria që të verifikojë emrat e dyshimtë, por në fund janë qytetarët ata që thonë verdiktin përfundimtar.

“Tashmë është një proces që është i lidhur me punën e KQZ-së, Prokurorët duhet të bëjnë punën e tyre, por, në fund të ditës janë votuesit shqiptarë të cilët duhet ta marrin vendimin se kush do t’i përfaqësojë ata. Se kush ja vlen që të ulet në Kuvend”, vijoi Kim.

Kim thotë se pret nga të gjitha partitë politike që të distancohen nga emrat e dyshuar si subjekt i dekriminalizimit, vlerësoi qëndrimin e PD për Tom Doshin dhe tha se të njëtën gjë pret edhe nga PS.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë