Drejtësia

Doli para Vettingut, gjyqtari pritet me protestën e qytetarëve: I korruptuar (Foto)

Bari Shyti, gjyqtari i Apelit Administrativ në Tiranë u ballafaqua këtë të martë, me gjetjet e Komisionit të Posaçëm të Kualifikimit në tre kritere: pasuror, profesional dhe atë për integritetin e figurës.

Por, para daljes në komisionin e Vettingut, ai është pritur nga qytetarë me pankarta anti-korrupsion në duar, një pamje që shihet rrallë ose aspak në ambientet e Pallatit të Kongreseve, ku ndodhet dhe Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.

Në fotot e siguruara nga Gazetasi.al, nuk mungonin parullat kundër tij: “Gjyqtari Bari Shyti i korruptuar, pasuri marramendëse të padeklaruar, shtëpi, lokale, miniera”, shkruhet në njërën nga pankartat.

“KPK zvarrit procesin, nuk verifikon arsimin e veterinerit”, shkruhet në një tjetër.

I njohur për rrëzimin e kërkesës së Shoqërisë Civile që apeloi rritjen e çmimit të ujit, gjyqtarit do t’i verifikohen dhe të ardhurat nga shitja e kromit, apo marrëdhënia me të vëllain, i cili ka në pronësi minierën dhe një HEC.

Bari Shyti e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1993 dhe ka punuar si gjyqtar në Gjykatat e Bulqizës dhe atë të Dibrës.

Në vitin 2013, ai u dekretua si gjyqtar në Gjykatën Administrative të Durrësit dhe prej vitit 2016 ushtron funksionin në Gjykatën Administrative të Apelit në Tiranë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë