Ekonomi

Pse Qeveria do që të ndërtojë brenda parqeve e zonave të mbrojtura

Qeveria argumenton ndërhyrjen në rishikimin e hartave të parqeve kombëtare, parqeve natyrore dhe zonave të tjera të mbrojtura nga jugu në veri të vendit, duke i hapur rrugë ndërtimit të strukturave akomoduese dhe shërbyese brenda tyre, me nevojën për t’i dhënë një tjetër hov zhvillimit të këtyre zonave në shërbim edhe të rritjes së mirëqënies dhe punësimit.

Burime të Gazetës Si thonë se gjatë diskutimeve të projektvendimit të Këshillit Kombëtar të Territorit është pasur parasysh vendosja e një ekuilibri mes domosdoshmërisë për të ruajtur identitetin e këtyre parqeve dhe nevojës për t’i shfrytëzuar këto zona në shërbim të zhvillimit ekonomik e social të banorëve të zonës dhe gjithë vendit.

“Për këtë qëllim janë marrë parasysh idetë për të lejuar ndërtime brenda këtyre parqeve, por në çdo rast duke qenë të kujdesshëm për të mos cenuar identitetin e tyre”, thonë burimet.

Gazeta Si mëson se gjatë diskutimeve për rishikimin e hartave të 44 zonave të mbrojtura ka pasur diskutime e qëndrime të kundërta dhe në to është përfshirë Ministria e Turizmit dhe Agjencia e Zhvillimit të Territoreve. Produkti përfundimtar është një e mesme e këtyre diskutimeve.

“Hartat përcaktojnë qartë se ku mund të ndërtohet rast pas rasti dhe sipas tipologjisë së parkut do të përcaktohen edhe kriteret për format dhe mënyrat e ndërtimeve e aktiviteteve që do të lejohen”, thonë burimet.

A mund të garantohet ruajtja identitetit të këtyre parqeve pas hyrjes në fuqi të këtyre ndryshimeve të KKT-së?

“Drafti është konsultuar dhe hartuar duke ndjekur shembujt më të mirë në vendet e tjera. Mbrojtja garantohet sepse së pari, legjislacioni në fuqi përcakton se si dhe sa mund të ndërtohet brenda tyre, që do të thotë se, si shembull, në Alpe, apo Divjakë nuk mund të hidhet kuturru hekur dhe beton dhe vetë brenda zonave të lejuara ka kufizime në sipërfaqe dhe së dyti, do të përforcohen kontrollet për respektimin e ligjeve dhe rregullave”, thonë burimet.

Sipas idesë së Qeverisë, këto investimet në këto zona do të hapin vende të reja pune, nxisin prodhimet e banorëve vendas dhe rrisin turizmin me një efekt domethënës në ekonominë e përgjithshme të vendit.

Por, ambientalistët vlerësojnë si të gabuar këtë qasje të Qeverisë, kundërshtojnë draftin duke e cilësuar atë si arbitrar, të përshpejtuar, joprofesional dhe legalizim të paligjshmërisë që kanë pësuar ndër vite zonat e mbrojtura.

“Një mënyrë e tillë arbitrare, e shpejtuar dhe aspak profesionale legjitimon shumë ndërhyrje abuzive të bëra në gjithë këta vite tranzicioni brenda zonave të mbrojtura dhe lë shteg, edhe për ndërhyrje të tjera në të ardhmen”, thotë Profesori Aleko Miho.

Miho i drejtohet Kryeministrit që të mos e firmosë një vendim të tillë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë