Bashkimi Europian vlerëson se postimi i Presidentit serb, Aleksandër Vuçcic, ku shfaqet harta e Kosovës me ngjyrat e flamurit serb është provokues që promovon klimë të pafavorshme për pajtimin, stabilitetin dhe bashkëpunimin rajonal.
“Bashkimi Europian gjithnjë u ka bërë thirrje aktorëve politikë në Serbi, Kosovë dhe pjesës tjetër të rajonit që të angazhohen në veprime dhe deklarata që krijojnë dhe promovojnë atmosferë të favorshme për pajtimin, stabilitetin rajonal dhe bashkëpunimin, e jo të kundërtën. Siç kemi thënë shumë herë përgjatë vitesh, Serbia dhe Kosova duhet të përmbahen nga veprimet dhe deklaratat që janë kundërproduktive për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre dhe punën për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse”, ka deklaruar një zëdhënës i BE-së për gazetën Koha Ditore në Kosovë.
Vuçiç, në kujtim të ngjarjeve të 17-18 marsit të 2004 ka shkruar se nuk harron dhe nuk do të lejojë që “17 marsi të ndodhë sërish”.
Ndërsa, në fotografi poshtë hartës ai ka shkruar: “Kosova nuk është barra, por kryqi ynë, e nga kryqi më shumë se nga barra shihet rilindja”.
Pas postimit, reagimet kundër Vuçiçit kanë qenë të shumta. Nga skena politike shqiptare kanë reaguar disa aktorë, ndërkohë në rrjetet sociale ka filluar edhe raportimi i fotografisë së Vuçiçit në Instagram si përmbajtje e papranueshme.
Pavarësisht raportimeve të shumta, Instagram nuk e ka fshirë ende postimin, pasi thotë se nuk bie ndesh me rregullat e tij. Për këtë arsye, në rrjetet sociale po përhapet me shpejtësi nënshkrimi i një peticioni për t’i kërkuar Instagram fshirjen e kësaj fotoje.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




