Kosova

Kosova do të dërgojë 60 mjekë për vaksinim në Shqipëri

Pas lidhjes së Sindikatës së mjekëve të Kosovës me kryeministrin Edi Rama, Ministria e Shëndetësisë së Kosovës ka njoftuar se do të dërgojë në Shqipëri rreth 60 profesionistë shëndetësorë, për t’u vaksinuar kundër koronavirusit.

MSH-ja thotë se lista e mjekëve të Kosovës i është dërguar autoriteteve shqiptare, të cilat më herët kanë shprehur gatishmërinë që punonjësit shëndetësorë nga Kosova të vaksinohen në Kukës.

“Ministri i Shëndetësisë së Kosovës, Armend Zemaj ka informuar homologen e tij, ministren Ogerta Manastirliu për listën e vullnetarëve për vaksinim dhe në koordinim midis autoriteteve të dy shteteve, do ta bëhet edhe vaksinimi i tyre”, thuhet në njoftimin e MSH-së.

Shqipëria ka thënë se ka në dispozicion 500 doza të vaksinës kundër koronavirusit për mjekët e Kosovës. Kosova është vendi i vetëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor që nuk ka siguruar asnjë vaksinë kundër koronavirusit.

Kosova pret që të marrë falas 100.800 doza të vaksinës së AstraZenecas përmes programit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, COVAX. Këto vaksina është paralajmëruar se do të arrijnë në muajin mars.

Zyrtarët qeveritarë po ashtu kishin deklaruar se kanë arritur marrëveshje me kompaninë Pfizer për sigurimin e 500.000 dozave të vaksinës, kjo kompani thotë se është ende në diskutim me Qeverinë e Kosovës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë