Ministria e Shëndetësisë së Kosovës nuk i është përgjigjur ende kryeministrit Edi Rama për vaksinimin e mjekëve dhe infermierëve nga spitalet Covid në Kukës. Ndëkohë që qeveria në detyrë po nguron, ajo që është hedhur në veprim është sindikata e mjekëve të Kosovë, e cila duket se është lidhur drejtpërdrejtë me kryeministrin Rama.
Kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla ka pasur një bisedë telefonike me Ramën për t’iu përgjigjur kërkesës së tij në lidhje me vaksinimin e bluzave të bardha. Në një postim në Facebook, Syla thotë se kreu i qeverisë i ka konfirmuar sigurimin e 500 vaksinave për personelin shëndetësor në Kosovë.
Ashtu siç edhe u shpreh zoti Rama, vaksinat do të shpërndahen në Kukës.
“Pas shumë përpjekjeve sot kam marrë një telefonatë nga Kryeministri Edi Rama i cili më konfirmoi sigurimin e vaksinave të para për punonjësit e shëndetësisë të cilat do t’i marrin në Kukës. Fillimisht numri i tyre është rreth 500 doza. Federata ka filluar të përpilojë listat , kuptohet së pari për punëtorët që janë në vijën e parë të frontit në luftën kundër Covid 19.” Syla pritet të takohet sot me kryeministrin Rama në Tiranë që të informohet më shumë për detaje.
Edhe pse nuk është e qartë nëse ka marrë apo jo dritën jeshile nga qeveria, shërbimi Spitalor Klinik e Universitar i Kosovës ka bërë gati listën e punëtorëve shëndetësorë, të cilët kanë dalë vullnetarë për t’u vaksinuar kundër Covid-19 në Shqipëri. Sipas këtij institucioni, listat me emrat e vullnetarët për vaksinim është dorëzuar sot në Ministrinë e Shëndetësisë.
Syla ka kritikuar ashpër vonesat për dërgimin e personelit shëndetësor për vaksinim në Shqipëri, por Ministria e Shëndetësisë është përgjigjur duke thënë se nuk ka marrë asnjë shkresë zyrtare.
Syla ka thënë se një numër i konsiderueshëm i punëtorëve shëndetësore janë të interesuar për t’u vaksinuar në Shqipëri dhe se sindikata ka insistuar për dërgimin e tyre në Shqipëri dhe se kanë qenë të gatshëm edhe ta organizojnë vetë transportin, por që nuk ka pasur konfirmim nga Ministria e Shëndetësisë.
Ministri i Shëndetësisë së Kosovës, Armend Zemaj ka deklaruarse se prioritet për Kosovën është vaksinimi i stafit shëndetësor dhe se Kosova ka një plan të sajin të hartuar se si do të zhvillohet kjo fushatë.
“Prioritet është vaksinimi i kuadrit shëndetësor, kur dihet përkushtimi i tyre dhe vdekja e mjekëve dhe infermierëve duke luftuar virusin. Ne kemi plan të hartuar si do të zhvillohet vaksinimi”, tha ai pa e bërë të qartë nëse do të pranonte thirrjen e Ramës apo jo.
Në një reagim të dytë, Ministria e Shëndetësisë së Kosovës thotë se e ka mirëpritur këtë gjest të Qeverisë së Shqipërisë, duke se do të jetë në dorën e personelit shëndetësor nëse dëshiron të vaksinohet në Shqipëri. “Por, fokusi është që vaksinimi të filloje sa më parë në Kosovë”, kanë thënë zyrtarë të kësaj ministrie.
Rama propozoi pas mbërritjes së 38 mijë dozave nga Astrazeneca se do të organizohet edhe me Kosovën në mënyrë që të nisë sa më parë vaksinimi i stafit shëndetësor.
“Jemi gati nga nesër të organizohemi me Kosovën për t’i dhënë mundësinë mjekëve dhe infermierëve që të vijnë dhe vaksinohen në Kukës. I presim me shumë kënaqësi që nesër dhe do të lidhemi me strukturat përkatëse. Edhe në Kosovë të thyhet kjo pengese e tmerrshme e mungesës së dozës së parë”, u shpreh kryeministri Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




