Kryeministri Rama na habiti kur premtoi se në mandatin e tij të tretë paga mesatare e administratës publike do të bëhet 85 mijë lekë nga 78 mijë lekë që është aktualisht! Një rritje prej 8.9 përqind.
Habia e parë lidhet me faktin sepse zyrtarisht sipas Institutit të Statistikave paga mesatare në administratë nuk është 78.000 siç tha kryeministri por 64.505 lek. Prej kësaj rrjedhin edhe disa habi të tjera. Pse Kryeministri premton një rritje më të vogël prej vetëm prej 8.9 përqind kur mundet që rritja e premtuar të ishte më e madhe pa ndryshuar pagën nominale tavan 85 mijë lekë . Pra pa ndryshuar vlerën të premtonte rritje më të madhe e cila nga 64 mijë në 85 mijë do të ishte jo pak, por rreth 31.7 përqind.
Por le ta konsiderojmë lapsus “taktik” faktin që kryeministri thotë se paga mesatare në administratë është 78 mijë dhe jo 64 mijë sic thotë INSTAT dhe të shikojmë a mundet që kjo të ndodhë.
Për të patur një lloj parashikimi hedhim një sy tek e shkuara, sa herë ka patur rritje pagash, si ka qenë ritmi i rritjes. Por gazeta ‘Si” e ka parë këtë variabël në kontekst të rritjes ekonomike.
Ky më poshtë është grafiku që kemi ndërtuar me të dhënat historike zyrtare nga Instituti i Statistikave.

Duke nisur që nga viti 2014, paga mesatare e administratës është rritur çdo vit pasardhës. Viti 2017 ku Shqipëria ishte mes një krize politike dhe shpenzimeve të fushatës zgjedhore, pati ndryshimin më të madh ku paga mesatare e administratës u rrit me 6.7% kur rritja e PBB-së në vend ishte 3.8%. Kjo është hera e parë që rritja e pagës mesatare është më e madhe se rritja ekonomike.
Në vitin 2018 ekonomia e vendit edhe pse u rrit me 4.8%, nivel shumë më pozitiv se viti paraardhës, paga e administratës u rrit vetëm me 1.9%. Gjatë vitit 2019, ku stabiliteti financiar në Shqipëri po shikonte diellin jashtë shpellës së Platonit, Prodhimi i Brendshëm Bruto u rrit me 2.8% dhe paga edhe këtë rast u rrit më shumë se rritja ekonomike e cila ishte 3.2 përqind.
Viti i shkuar, ku pandemia pengoi aktivitetin ekonomik në vendin tonë dhe jo vetëm, PBB-ja ra me 5.4% , borxhi publik u rrit me 11.6%, por pagat e administratës “i shpëtuan” rendit rënës dhe u rritën me 2.1%.
Siç edhe e tregon grafiku, të paktën që pas vitit 2014 rritja e pagës mesatare në administratë vetëm dy herë ka qenë më e lartë se rritja ekonomike dhe vetëm njëherë sa dyfishi i saj.
Në të gjitha herët rritja e pagës është luhatur mes 1.03 përqind dhe maksimumi 6. 7 përqind.
Rritja mesatare përgjatë viteve 2014-2020 ka qenë ka qenë rreth 2.7 përqind.
Pyetja është, çfarë do të ndodhë që rritja e premtuar e pagës në mandatin e tretë të jetë 31.7 përqind ose rreth 12 herë më e madhe se sa rritja mesatare për çdo vit?!
Vetëm për shkak të rritjes ekonomike, është e vështirë, dhe kjo… është një tjetër çudi!
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje