Izraeli ka shprehur sot gatishmërinë që të ndihmojë Kosovës për të siguruar vaksina kundër koronavirusit. Lajmi u bë i ditur nga Ministria e Jashtme e Kosovës, e cila njofton po ashtu se do të mbahet një takim virtual të mërkurën pasdite mes ministrit në detyrë të Shëndetësisë Armend Zemaj dhe ministrit izraelit të Shëndetësisë Yuli Edelstein.
“Ky takim është organizuar për të diskutuar rreth ndihmës së Izraelit në sigurimin e vaksinave anti-Covid19 për popullin e Kosovës”, thotë ministria.
Më 14 mars, Kosova hapi zyrtarisht ambasadën e saj në Jerusalem. Ky vendim është vlerësuar nga autoritetet izraelite, të cilat në shenjë mirënjohje kanë vendosur të “shpërblejnë” Kosovën, duke e ndihmuar të sigurojë vaksina.
Kosova vazhdon të mbetet vendi i vetëm në Evropë që nuk ka nisur procesin e vaksinimit.
Skema e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, COVOX, përmes së cilës pritet të shpërndahen vaksinat për koronavirus në vendet e varfra, ka bërë të ditur se Kosova mund të mos furnizohet me këtë vaksina deri në muajin maj. Në dërgesën përmes COVAX-it, Kosova do të përfitojë 100,800 doza të vaksinës së prodhuar nga kompania AstraZeneca por nuk është e qartë se kur mund të mbërrijnë këto doza.
Ministria e Shëndetësisë në Kosovë, në fillim të muajit janar, pati njoftuar se ka marrë konfirmim edhenga kompania amerikane, Pfizer, për sigurimin e 535,000 vaksinave kundër koronavirusit. Por kompania amerikane thotë se është ende në diskutime me Qeverinë në detyrë të Kosovës .
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




