Bashkimi Europian ka shprehur keqardhje të hënën për vendimin e Kosovës për të hapur Ambasadën e saj në Jerusalem. Një ditë pasi Kosova inauguroi selinë e saj në qytetin e shenjtë, një zëdhënës i BE-së, tha në një reagim se se Prishtina ka zgjedhur të distancohet nga qëndrimi i BE-së lidhur me çështjen e Jerusalemit”.
“Pozicioni i BE-së është i njohur mirë dhe është në përputhje me Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së 478, e vitit 1980, që i bën thirrje të gjitha shtetet anëtare të OKB-së që të tërheqin misionet e tyre diplomatike në Izrael nga Jerusalemi. Të gjitha shtetet e BE-së, si edhe delegacioni i BE-së në Izrael, janë të vendosura në Tel Aviv”, ka thënë zëdhënësi.
Ai ka shtuar se “BE-ja ka përsëritur përkushtimin në vazhdimësi kërkesën për gjetjen e një zgjidhjeje falë negociatave mes dy shteteve. BE-ja rikujton se qeverive e vendeve anëtare kane theksuar vazhdimisht se “pozicioni i BE-së rreth Jerusalemit mbetet i pandryshuar”.
“Pozicioni afatgjatë i BE-së është i qartë. Duhet të gjendet mënyra për zgjidhjen e statusit të Jerusalemit përmes negociatave, si një kryeqytet i ardhshëm i të dyja shteteve dhe të përmbushen aspiratat e të dyja palëve. Çështja e Jerusalemit është çështje e statusit final. Në këtë kontekst, çfarëdo hapi diplomatik i cili vë në dyshim qëndrimin e përbashkët të BE-së, është çështje për shqetësim serioz dhe keqardhje”, tha zëdhënësi i BE-së.
Por, i pyetur lidhur me hapjen e Ambasadës së Çekisë, shtet anëtar i BE-së, në Jerusalem, blloku europian nuk kanë dhënë ndonjë përgjigje të qartë.
Hapja e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem vjen si përmbushje e Marrëveshjes së 4 shtatorit në Uashington për normalizim ekonomik me Serbinë.. Në këtë marrëveshje, që u ndërmjetësua nga presidenti i atëhershëm i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, u përfshi edhe njohja e Kosovës nga Izraeli dhe u tha se Ambasada e Kosovës do të vendosej në Jerusalem. BE-ja që atëherë e kishte kritikuar vendosjen këtë vendim duke e cilësuar si largim nga qëndrimet e BE-së, pasi sipas bllokut, kjo është në kundërshtim me aspiratat e Prishtinës zyrtare për integrim në BE.
Edhe Serbia kishte premtuar që ta zhvendoste Ambasadën e saj nga Tel Avivi në Jerusalem, por deri më tani kjo gjë nuk ka ndodhur. Në kuadër të procesit të Stabilizim Asociimit dhe zgjerimit, BE pret që shtetet kandidate apo ato që aspirojnë anëtarësimin, të përshtaten me politikën dhe qëndrimet e përbashkëta të Brukselit zyrtar. Deri më tani, Shqipëria është shteti i vetëm që i ka përmbushur 100 për qind këto pritje ndaj BE-së.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




