Ministri i Shëndetësisë së Kosovës, Armend Zemaj ka reaguar pas thirrjes së bërë nga kryeministri Edi Rama, që stafi shëndetësor të vaksinohet në Kukës.
Zemaj u shpreh se prioritet për Kosovën është vaksinimi i stafit shëndetësor dhe se Kosova ka një plan të sajin të hartuar se si do të zhvillohet kjo fushatë.
“Prioritet është vaksinimi i kuadrit shëndetësor, kur dihet përkushtimi i tyre dhe vdekja e mjekëve dhe infermierëve duke luftuar virusin. Ne kemi plan të hartuar si do të zhvillohet vaksinimi”, tha ai pa e bërë të qartë nëse do të pranonte thirrjen e Ramës apo jo.
Reagimi vjen pasi kryeministri Edi Rama deklaroi pas mbërritjes së 38 mijëdozave nga Astrazeneca se do të organizohet edhe me Kosovën në mënyrë që të nisë sa më parë vaksinimi i stafit shëndetësor.
“Jemi gati nga nesër të organizohemi me Kosovën për t’i dhënë mundësinë mjekëve dhe infermierëve që të vijnë dhe vaksinohen në Kukës. I presim me shumë kënaqësi që nesër dhe do të lidhemi me strukturat përkatëse. Edhe në Kosovë të thyhet kjo pengese e tmerrshme e mungesës së dozës së parë”, u shpreh kryeministri Rama.
Në njëvjetorin e shfaqjes së rasteve të para me Covid-19, Kosova regjistroi 24 orët e fundit edhe 578 raste të reja me koronavirus. Të shtunën, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovë, po ashtu njoftoi se kanë humbur jetën edhe tetë pacientë.
Kosova, është shteti i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk ka siguruar ende asnjë dozë të vaksinës kundër koronavirusit. Qeveria në detyrë ka deklaruar se në fund të marsit pritet të arrijë kontingjenti i parë i vaksinave nga programi COVAX, i cili planifikohet të mbërrinte fillimisht në shkurt.
Nga ky program i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Kosova pritet të sigurojë në total 100.800 doza të vaksinës së prodhuar nga kompania britanike AstraZeneca.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




