Thuajse një muaj nga dita e votimit, rezultati i zgjedhjeve në Kosovë është certifikuar nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke i hapur rrugë kështu thirrjes së seancës së parë të Kuventi të ri nga ana e Presidentes Vjosa Osmani.
Vonesat e deritanishme në certifikimin e rezultatit u shkakuan nga shqyrtimi i ankesave relativisht të shumta që kishin paraqitur kandidatët dhe partitë politike te Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe tek Gjykata Supreme.
Tashmë, brenda 30 ditëve, Vjosa Osmani duhet të thërrasë seancën e parë të Kuvendit të ri. Kjo është legjislatura e tetë e Kuvendit të Kosovës, ku Lëvizja Vetëvendosje do të ketë 58 deputetë, Partia Demokratike e Kosovës do të ketë 19, Lidhja Demokratike e Kosovës 15 dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të ketë 8 mandate.
Lista Serbe ka fituar të dhjetë ulëset e garantuara me Kushtetutë, dy mandate kanë shkuar për ka turqit dhe nga një mandat minoritetet e tjera.
Gjatë mbledhjes së KQZ-së, ku u certifikua rezultati i zgjedhjeve, kryetarja e këtij institucioni, Valdete Daka bëri thirrje që deputetët e rinj të bëjnë reformën zgjedhore.
“Dua t’u drejtohem deputetëve të legjislaturës së ardhshme, subjekteve politike, që reformën zgjedhore të mos e lënë në udhëkryq, por t’ia japin rrugën e duhur. KQZ-ja është e gatshme që të japë kontributin e vetë profesional në këtë reformë”, tha Daka
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




