Kosova

Mediat izraelite: Kosova hap të hënën ambasadën në Jerusalem

Kosova pritet të hapë javën e ardhshme ambasadën e saj në Jerusalem, duke zbatuar kështu marrëveshjen e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë.

Lajmi bëhet i ditur nga media izraelite “Israel Hayom”, e cila raporton sot se Prishtina zyrtare do ta hapë ambasadën e saj në qytetin e shenjtë të hënën. Sipas gazetës izraelite, diplomatë të lartë të të dy vendeve do të marrin pjesë në ceremoninë e hapjes së ambasadës që do të mbahet në qendër të Jerusalemit.

Vendimi vjen pasi Kosova dhe Izraeli lidhën marrëdhënie diplomatike më 1 shkurt të këtij viti në një ceremoni virtuale, gjatë të cilës Prishtina i kërkoi Tel Avivit hapjen e ambasadës së saj në qytetin e shenjtë. Qeveria e detyrë e kryeministrit Avdullah Hoti është zotuar për hapjen e saj pavarësisht kundërshtimeve nga ana e Bashkimit Europian, Turqisë por edhe skepticizmit të kryeministrit të ardhshëm Albin Kurti.

Në një letër drejtuar kreut të Vetëvendosjes, më 17 shkurt Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka përmendur edhe vendimin e Prishtinës zyrtare për vendosjen e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Jerusalem. Netanyahu shkruante se do të ishte i lumtur që ta mirëpriste Albin Kurtin në inaugurimin e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem.

“E vlerësoj si shumë të rëndësishëm vendimin e Kosovës për të hapur Ambasadën në Jerusalem dhe iu pres në Izrael për  inaugurimin e saj”, thuhet në letrën e Netanyahut. Por në përgjigjen e tij, Kurtit e ka falënderuar për ftesën, duke mos përmendur fare çështjen e Ambasadës së Kosovës. Kurti ka shkruar se e sheh vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes dy shteteve si mundësi për të përforcuar bashkëpunimin politik, ekonomik e kulturor. Megjithatë, vendosja e ambasadës së Kosovës në Jeruzalem duket se do të jetë vendimi i fundit i qeverisë në detyrë.

Hapja e saj është e parashikuar me marrëveshjen e 4 shtatorit, kur Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë dy dokumente për normalizimin e raporteve ekonomike, në prezencë të presidentit të atëhershëm amerikan, Donald Trump.

Në dokumentin e nënshkruar Kosovës iu premtua njohja e ndërsjellë me Izraelin, ndërkohë, në rastin e Serbisë, është parashikuar zhvendosja e ambasadës së saj nga Tel Avivi në Jerusalem, gjë që ende nuk ka ndodhur.

Çështja e ambasadës së Kosovës në Izrael ka qenë temë diskutimi më 1 mars edhe në mes të liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurtit dhe ambasadorit turk në Prishtinë Çağri Sakar.

Kurti ka paralajmëruar se do ta shqyrtojë se në cilin qytet do të vendoset ambasada, në Tel Aviv apo Jerusalem, duke shtuar se për këtë gjë do të shohin “edhe dokumentacionin e qeverisë në ikje”.

Megjithatë, Kurti ka thënë se vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Izraelit është e rëndësishme dhe “mundësi e mirë për zhvillim”.

Ambasada turke në Prishtinë kishte kundërshtuar më herët hapjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë