Kosova

Qeveria “Kurti 2” formohet deri më 25 mars

Ish-ministri i Punëve të Jashtme dhe një nga njerëzit më të afërt të Albin Kurti ka zbuluar sot se qeveria e Kosovës do të formohet brenda marsit për të vazhduar më pas me zgjedhjen e presidentit.

Numri dy në listat e Lëvizjes Vetëvendosje Glauk Konjufca ka deklaruar se qeveria Kurti II do të formohet brenda datës 25 mars, me të paktën 64 vota. Duke folur për zgjedhjen e Presidentit të vendit ai u shpreh se Vjosa Osmani do të nisë garën për presidencën menjëherë pas formimit të Qeverisë, deri më datë 10 prill.

“Unë mendoj që minimumi i numrave për zgjedhjen e Qeverisë Kurti do të jetë 64-65. Kjo është minimumi. Deri tani nuk ka diskutime me parti të tjera”, tha Konjufca në një intervistë televizive.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli një javë më parë rezultatin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 14 shkurtit, por nuk e ka certifikuar ende për shkak të akuzave për shit-blerje votash.

Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit ka shënuar fitore bindëse, duke siguruar 58 vende, por nuk mund ta formojë e vetme qeverinë, pasi ekzekutivi i ri duhet të votohet nga të paktën 61 deputetë.

Sipas rezultatit përfundimtar, Partia Demokratike e Kosovës do të ketë 19 vende në kuvend, Lidhja Demokratike e Kosovës, 15 dhe Aleanca për Ardhmërin e Kosovës do të ketë tetë deputetë. Kurti pritet të formojë një aleancë me komunitetet jo serbe. Lista Serbe ka fituar dhjetë deputete dhe katër vende janë nga fituar Partia Demokratike Turke e Kosovës dhe Iniciativa Rome. Ndërkaq, Koalicioni Vakat, Komuniteti i Bashkuar Adrijana Hoxhiq, Partia e Re Demokratike, Partia Gorane, Inciativa e Re Demokratike e Kosovës dhe Partia e Ashkalinjëve për Integrim kanë fituar secila nga një deputet

Sipas rezultatit, Vjosa Osmani, e cila garoi brenda në listës së Vetëvendosjes është deputetja më e votuar, 300.788 vota. Kryeministri i ardhshëm, Albin Kurti nuk u lejua që të garojë për deputet, për shkak të një dënimi të formës së prerë, për hedhjen e gazit lotsjellës në ambientet e kuvendit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë