Pas humbjes katastrofike në zgjedhjet e 14 shkurtit, Lidhja Demokratike e Kosovës po përgatitet për zgjedhje të brendshme, me shpresën se kryetari i ri do ta ndihmojë ish-partinë e Ibrahim Rugovës të rigjejë shkëlqimin e humbur duke reflektuar për qasjen e saj ndaj votuesve, por edhe politikës që do të duhet të ndjekë në opozitë.
Deri më tani kandidatët për kryetarin e ardhshëm janë tre: Lutfi Haziri Lumir Abdixhiku dhe Anton Quni, të cilët paraqitën kandidaturat e tyre të hënën, në një takim të Kryesisë së LDK-së. Haziri aktualisht është nënkryetar i LDK-së dhe kryetar i komunës së Gjilanit, Quni ministër i Mbrojtjes, ndërsa Abdixhiku anëtar i Kryesisë. Statuti i LDK-së e përcakton se kryetari i ri do të zgjidhet nga kuvendi i partisë, i cili ka 355 delegatë.

Pas dorëheqjes së Isa Mustafës, Lidhja Demokratike e Kosovës do të mbajë kuvendin e saj zgjedhor më 14 mars, kur edhe pritet zgjedhja e kryetarit të ri. Mustafa vendosi të marrë si rrallëherë përgjegjësi politike si pasojë e rezultatit të në zgjedhjet parlamentare, ku LDK-ja ka dalë partia e tretë, me gjysmën e votave që mori në zgjedhjet parlamentare të vitit 2019.
Duke komentuar humbjen e partisë së tij, Mustafa tha se rezultati është i papritur dhe se LDK kishte nevojë të rimendonte qasjen e saj, sidomos ndaj kërkesave dhe nevojave të të rinjve.
“Është një rezultat i papritur, por vota e sovranit meriton te respektohet. Në një gjendje krize, qoftë shëndetësore, sociale apo ekonomike, njerëzit janë të prirur t’i kërkojnë zgjidhjet përmes ndryshimeve. Sikurse, është dëshmuar se ndryshimet shpesh nuk sjellin rezultate”, tha ai. “LDK-ja ka nevojë të rimendojë qasjen e saj, sidomos ndaj kërkesave dhe nevojave të të rinjve, ka potenciale shumë më të mëdha se Vetëvendosje,”, shtoi Mustafa. Kjo nuk është hera e parë në historinë e LDK-së, që një kryetar jep dorëheqje.
LDK-ja është themeluar më 1989 dhe që atëherë ka pasur tre kryetarë: Ibrahim Rugovën (bashkëthemelues i partisë), Fatmir Sejdiun dhe Isa Mustafën.

LDK-ja është partia më e vjetër dhe me traditën më të gjatë demokratike në Kosovë, por pas largimi nga jeta të liderit të saj shpirtëror, Ibrahim Rugova, nuk ka arritur të dalë e para në asnjë nga zgjedhjet e mbajtura në Kosovë. Sipas analistëve, humbja gjashtë herë radhazi e zgjedhjeve parlamentare dhe humbja e shumicës së bastioneve në nivelin lokal, çon në rrezikun që LDK të humbasë edhe pozicionin si partia e tretë në Kosovë nëse nuk merr një moment reflektimi për të rimenduar qasjen dhe rolin e saj në skenën politike të Kosovës.
Pavarësisht mobilizimit të jashtëzakonshëm për këto zgjedhje, pas bashkimit me Vetëvendosjen të kandidates për kryeministre në zgjedhjet e kaluara, Vjosa Osmani dhe disa figurave tjera, LDK e pati shumë të vështirë të ruajë po të njëjtin nivel votash që kishte marrë në zgjedhjet e kaluara.

Megithatë, analistët thonë se pas tërheqjes tri herë radhazi të kandidaturës për kryeministër, me tërheqjen edhe nga kreu i partisë, Mustafa do ta ndihmojë më shumë se askush tjetër rilindjen e LDK-së.
“Pra, largimi vullnetar i Isa Mustafës nga kreu i partisë i hapë rrugë kthimit të besimit në Lidhjen Demokratike të Kosovës, për ngritjen e radhës”, shkruan analisti Florim Zeqa. “Hyrja e LDK-së në zgjedhjet e 14 shkurtit me Isa Mustafën kryetar, çoi në humbjen e gjashtë radhazi dhe rënien më të madhe në këto 15 vjetët e fundit të kësaj partie”, thekson ai
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




