Kosova

Spanja e quajti “territori i Kosovës”, reagon FFK: Do valvitet flamuri dhe do këndohet himni

Ka filluar të rritet që tani tensioni mes Kosovës dhe Spanjës për ndeshjen kualifikuese të 31 marsit. Një tension politik, pasi Spanja nuk e ka njohur Kosovën dhe sot, në njoftimin e Federatës Spanjolle të Futbollit për tri ndeshjet e para kualifikuese te Katar 2022, është përdorur termi “territori i Kosovës”. Një veprim që ka sjellë reagime të forta në Prishtinë.

Sipas gazetës prestigjioze “Marca”, Spanja nuk do ta trajtojë Kosovën si shtet të pavarur, edhe pse më 31 mars do ta presë në territorin e saj, në Sevilje. Ministria e Jashtme e Spanjës ka dhënë disa udhëzime për këtë ndeshje. Po sipas kësaj gazete, në ndeshjen mes dy ekipeve nuk do valvitet flamuri i Kosovës, ndërsa për himnin është menduar të mos prezantohet si çdo himn tjetër (himni kombëtar i Kosovës), por do të thuhet: “muzika e dhuruar nga territori i Kosovës”.

Njoftimi i Federatës së Spanjës, ku përdoret termi “territori i Kosovës. Gazeta Si, 9 mars 2021

Por ndryshe mendojnë në Kosovë. Federata e Futbollit të Kosovës ka dalë me një qëndrim zyrtar, ku garanton se në Spanjë do të valvitet flamuri dhe do të këndohet himni, përndryshe ndeshja nuk zhvillohet. Ja dhe reagimi i plotë i FFK-së:

“Federata e Futbollit e Kosovës lidhur me provokimin e sotëm të Federatës së Futbollit të Spanjës për ndeshjen kualifikuese të Botërorit që zhvillohet më 31 mars në Sevilje, Kosovës iu referua si territor, reagon si më poshtë:
Qasja e shtetit spanjoll në drejtim të shtetit të Kosovës fatkeqësisht ka qenë destruktive që nga shpallja e Pavarësisë më 17 shkurt 2008, por kjo qasje dhe makijazhi që institucionet e këtij vendi mundohen t’i bëjnë shtetësisë së Kosovës, nuk mund ta ndryshojnë dot historinë dhe realitetin.

Kosova është shtet i pavarur, i pranuar nga shumica e vendeve më të zhvilluara e demokratike të globit dhe anëtare e barabartë me të gjitha shtetet tjera në UEFA e FIFA, që nga maji i vitit 2016. Përpjekja e spanjollëve për ta minimizuar shtetësinë e Kosovës në ndeshjen e 31 marsit është e kot dhe e padrejtë. Ata janë të vetëdijshëm se në këtë datë do të përballen me Kombëtaren e Kosovës, e cila do të paraqitet si çdo shtet tjetër.

Tifoz kosovar gjatë ndeshjes me Anglinë. Gazeta Si, 9 mars 2021

Kriteret e UEFA-s e FIFA-s janë të ditura e të qarta si kristali dhe Spanja e di këtë, prandaj çka do që thuhet e shkruhet nuk i ndërron këto rregulla dhe në asnjë mënyrë nuk do të ndërrohen. Kosova nuk do të bëjë asnjë lëshim, do të luajmë vetëm sipas kritereve dhe rregullave strikte të UEFA-s, me himn dhe flamur shtetëror, përndryshe ndeshja nuk do të zhvillohet.

Gjithsesi, është e papranueshme kjo formë qasjeje e spanjollëve dhe menjëherë jemi vënë në kontakt me Federatën spanjolle, ku tani jemi në pritje të një reagimi të tyre të shpejtë. Nëse ata nuk do të reagojnë në këtë drejtim, atëherë do të jemi të detyruar të kërkojmë të drejtën tonë në UEFA, ku do të kërkojmë mbrojtje nga ky institucion, sepse jemi vend anëtar i UEFA-s me të drejta të barabarta sikurse 54 federatat tjera dhe Spanja është e obliguar të na trajtojë në atë formë.

FFK pret që Federata Spanjolle të sillet konform rregullave të UEFA-s e FIFA-s dhe të mos bëjë veprime të cilat dëmtojnë raportet ndërmjet federatave dhe dy shteteve tona.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë