Kosova

Bashkëshorti duke blerë vota, dorëhiqet ministrja e Jashtme e Kosovës

Pas ngritjes së dyshimeve për manipulim të votave në zgjedhjet e 14 shkurtit, ministrja e Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla dha të martën dorëheqjen, duke çuar edhe në vonesa të mëtejshme të certifikimit të rezultatit zgjedhor.

Haradinaj-Stublla, ka dhënë dorëheqje jo vetëm nga posti i kryediplomates, por edhe nga të gjitha funksionet në partinë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, dhe nga anëtarësia.

Dorëheqja e saj vjen pas publikimit të një video-incizimi në media, ku bashkëshorti i saj, Dardan Stublla, shihet duke blerë vota në emër të saj.

“Këtë vendim e marr vetëm për shkak të dëmit moral që më është shkaktuar dhe imazhit që më është dëmtuar nga persona me qëllime të pista, e jo sepse ndjej përgjegjësi për manipulimet dhe akuzat që më janë ngritur në mënyrë të pamëshirshme ndaj meje dhe familjes time. Cenimi i nderit dhe punës sime nga lojërat denigruese të të tjerëve, është pasoja e këtij vendimi”, tha Haradinaj-Stublla në një postin në rrjetin social Facebook.

Dorëheqja e Haradinaj-Stubllës vjen një ditë pasi Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) i miratoi si të bazuara disa nga akuzat për mashtrim zgjedhor të disa kandidatëve dhe subjekteve politike, që morën pjesë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit. Një nga akuzat kishte të bënte me dyshimet për manipulim të votave me kusht dhe me postë në favor të Haradinaj-Stubllës.

Kjo është hera e parë në Kosovë, që pas shpalljes së rezultatit përfundimtar, urdhërohet rinumërimi i votave për kandidatë për deputetë. Komisionerët që merren me procesin e numërimit janë të punësuar nga KQZ-ja, por vëzhguesit e subjekteve politike dhe organizatave joqeveritare lejohen që të monitorojnë procesin. KQZ-ja ka shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 4 mars por certifikimi i tyre mund të marrë edhe disa ditë, për shkak të akuzave për vjedhje votash jo vetëm ndasj ministres së Jashme por edhe të figurave nga forca të tjera politike.

Ankesa ndaj Haradinaj-Stubllës u ngrit nga Florentina Gjergjaj, kandidate për deputete nga partia e saj, AAK-ja. PZAP-ja ka dërguar në rinumërim të gjitha votat me kusht dhe ato me postë të AAK-së, pasi Gjergjaj pretendon se gjatë numërimit të këtyre votave ka ndodhur parregullsi, që i kanë kushtuar asaj me humbjen e postit të deputetes.

Në apelin e saj, Gjergjaj ka thënë se deri para numërimit të votave me kusht dhe atyre me postë, ajo dhe kandidatja tjetër nga AAK-ja, Albana Bytyqi, kishin më shumë vota sesa kandidatja Meliza Haradinaj-Stublla.

“Kandidates Meliza Haradinaj-Stublla, në mënyrë artificiale i është rritur numri i votave nga personat që kanë futur të dhënat në sistem apo nga persona që kanë bërë numërimin dhe rinumërimin e votave”, thuhet në apelin e kandidates Gjergjaj.

AAK-ja në total ka marr rreth 3 mijë vota me kusht dhe me postë, nga të cilat sipas Gjergjajt, 709 vota kanë shkuar në favor të Meliza Haradinaj-Stublla.

Haradinaj-Stublla i kishte hedhur poshtë deri më tani këto akuza si të pabaza. Një ditë më parë, ajo deklaroi se e mirëpret vendimin e PZAP-së për rinumërimin e votave, duke thënë se një veprim i tillë është “një hap përpara zbardhjes së incizimit të inskenuar që pretendon përfshirjen e bashkëshortit të saj për vjedhjen e votave”.

Por kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka deklaruar do të kërkojë dënimin e të gjithë atyre që kanë manipuluar me vota.

Rrjeti i organizatave që merret me monitorimin e zgjedhjeve, Demokracia në Veprim (DnV) e konsideron të rëndësishëm hetimin e manipulimin të procesit të votimit dhe fton edhe kandidatët e tjerë që kanë dyshime, që të bashkëpunojnë me prokurorinë.

“Pas rinumërimit del se ka pasur skema masive të manipulimit, meqënese po flasim për qindra vota diferencë, atëherë duhet të shikohet se a duhet të shkojmë në një rinumërim të plotë të votave. Nëse dikush mundet që përmes dy-tre personave të manipulojë qindra vota, atëherë kjo skemë mund të ketë ndodhur edhe në vendvotime të tjera”, thotë Eugen Cakolli, përfaqësues i DnV-së.

Deri më tani PZAP-ja ka hedhur poshtë disa ankesa të tjera të kandidatëve, duke përfshirë edhe ata nga radhët e Aleancës Kosova e Re, të cilët kanë garuar në listë të përbashkët me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Disa nga ta, duke përfshirë edhe Jetlir Zyberjan e AKR-së , kanë paralajmëruar se do të ankohen në Gjykatën Supreme.

Ndërkaq, deputeti i zgjedhur i AAK-së, Bekë Berisha ka kërkuar rinumërim të plotë të të gjitha votave.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë