Nga Anxhela Çelanji – Një vit pasi u konfirmua rasti i parë me Covid-19 në vendin tonë, të dhënat zyrtare tregojnë se në total kemi 112.897 të prekur nga Covid-19, ndër to rreth 35,700 prej tyre janë ende aktive dhe rreth 75.000 janë të shëruar. Ndërkaq numri i fataliteteve që prej fillimit e deri më tani ka shkuar në 1939.
Pra zyrtarisht të infektuar janë jo më shumë se 5 % e popullsisë. Kjo shifër në raport me alarmin e krijuar tingëllon shumë e vogël ndaj lind pyetja:
A janë të sakta shifrat në një vit pandemi?
Duket se jo! Nën një rishikim të të dhënave, qartazi duket se numri i të infektuarve në vend nuk është aq sa tregohen në të dhënat zyrtare. Ministria e Shëndetësisë raporton se në rang kombëtar janë rreth 112.897 të prekur nga Covid-19, ndërkaq në studimin e Akademisë së Shkencave, ekspertët Alban Ylli dhe Genc Sulçebe kanë analizuar rreth 258 mijë banorë të Tiranës nga të cilët – nën përshkrimin e shifrave – rreth 130 mijë banorë janë infektuar dhe janë të imunizuar.

Epidemiologu Ilir Alimehmeti i shpjegoi Gazetasi.al se nga këto të dhëna rezulton që të kemi 1 në 20 persona të infektuar, ndërkohë që po të mendohet në rrethin shoqëror nuk del kështu.
“Në të gjithë Europën përqindja e rasteve që është kapur ka qenë shumë e vogël, pra është kapur një rast që nuk e dimë se sa. Për ta kuptuar këtë do të nevojitej bërja e një studimi prevalence me popullatë përfaqësuese, por përfaqësuese për çdo qytet dhe për çdo zonë që autoritetet zyrtare nuk e ka bërë ndonjëherë. Kjo nevojitet të bëhet. U bë një vit që është deklaruar se ka nisur një studim seroprevalence por përveç kësaj deklarate, nuk kemi parë ndonjë studim,” i tha Alimehmeti Gazetasi.al.
Ndërkaq në të gjitha format numri i infektimeve në raport me popullsinë duket tepër i vogël. Kjo do të ishte një arritje për vendin tonë, por gjithmonë nëse shifrat janë reale pasi të dhënat e ekspertëve si nga autoritetet shëndetësore ashtu dhe nga ata të Akademisë së Shkencave, tregojnë një deficit të madh numrash.
Nga studimi i Akademisë së Shkencave dhe shqyrtimit të ekspertëve rezultoi se në rang kombëtar, imuniteti ndaj Covid-19 është rreth 25%. Ndërsa në Tiranë thuhet se rreth 50% e popullatës urbane të kryeqytetit është pozitive ndaj virusit, pra janë persona të imunizuar.
“Akademia e Shkencave ka një shifër që ka marrë një interes shumë të rëndësishëm sepse nuk e kishim një të dhënë të tillë dhe njerëzit kanë shumë nevojë ta kenë, duan ta dinë se ku janë. Kjo është pse mori shumë rëndësi edhe pse po ta shohin studimin, është një studim që shërbehet nga katër qendra shëndetësore që mbulon një popullatë rreth 268.000 veta. Atëherë, edhe po të jetë studimi perfekt, prapë flitet për një zonë. Prandaj duhet një studim në çdo lloj qyteti dhe në çdo lloj popullate, që ta kuptojmë. Gjirokastra nuk i ngjan Tiranës dhe periferia e Tiranës nuk i ngjan qendrës së Tiranës e me radhë,” shpjegon Alimehmeti për Gazetasi.al.
Më tej epidemiologu shpjegon se vetë studimi i Akademisë së Shkencave nuk është rastësor, pasi ata që janë përzgjedhur nuk janë në mënyrë rastësore. Alimehmeti shpjegon se po të shohësh të dhëna rreth 64% e kampionit janë femra dhe rreth 36% janë meshkuj dhe këtu kuptohet se kampionimi është i përzgjedhur. Sipas ekspertit, studimi është një indicie që shifrat e paraqitura nga Ministria e Shëndetësisë janë të dyshimta. Më tej Alimehmeti përmend edhe faktin se shifrat nga Akademia e Shkencave kanë të bëjnë me gjendjen deri në fillim të muajit dhjetor, ndërkohë që kemi kaluar edhe 3 muaj të tjerë shumë të fortë. Duke u bazuar mbi të dhënat epidemiologu përshkruan se është tepër e rëndësishme që autoritetet të realizojnë një studim mbi seroprevalencën.
Epidemia e Covid-19 në vendin tonë nisi zyrtarisht që prej 8 marsit të vitit të shkuar, kur babë e bir nga Tirana, të kthyer nga Firence e Italisë, rezultuan të prekur nga Covid-19, duke u bërë kështu edhe rastet e para zyrtare. Ndërkaq dy ditë më vonë u shënua dhe vdekja e parë nga Covid-19, një grua 73-vjeçare nga Durrësi. Shtimi i infektimeve solli një sërë masash, si pezullimi i fluturimeve me Italinë, mbyllja e shkollave dhe më pas izolimi total, duke vijuar me një karantinë totale prej dy muajsh.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje