Presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka deklaruar të martën se Bashkimi Europain dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë nisur një fushatë të përbashkët presioni për t’i bërë presion Serbisë të njohë pavarësinë e Kosovës.
Ai tha se pret që javët e ardhshme SHBA dhe BE të rrisin ndeshëm presionin ndaj Beogradit, duke deklaruar pas një takimi të partisë së tij se Serbinë e pret një “periudhë e vështirë”, gjatë së cilës do t’iu ekspozohet “të gjitha presioneve, fushatave dhe të pavërtetave të mundshme”.
“Është e rëndësishme të kuptohet pesha e pozitës në të cilën jemi sidomos tani, pas ndryshimit në administratën amerikane. Duhet të pritet presion i përqendruar i BE-së dhe SHBA-së mbi Serbinë, për të përmbushur kërkesat për, siç e thonë hapur amerikanët, njohjen e Kosovës… BE-ja do të përdorë një fjalor pak më ndryshe, por do të shkojë drejt të njëjtit qëllim”, tha Vuçiç.
Kjo qasje e administratës së re amerikane u bë e qartë që me letrën që presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden i ka dërguar presidentit serb me rastin e Ditës së Shtetësisë së Serbisë, ku e inkurajonte të “arrinte marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën, e cila përqendrohet në njohjen e ndërsjellë”. Vuçiç iu përgjigj duke thënë se çështja e njohjes nuk përmendet në asnjë dokument.
Presidenti serb komentoi edhe rezultatet e zgjedhjeve parlamentare në Kosovë dhe se Lista Serbe ka arritur “dominim absolut” në mesin e serbëve në veri të Kosovës. Ai iu referua deklaratës së Albin Kurtit se Serbia bëri gjenocid në Kosovë në 1999.
“Sa i përket gjenocidit, njerëzit po përdorin terma pa ditur asgjë për të. Si një anarkist, ai mund ta kishte studiuar këtë term më mirë. Unë përpiqem të mos u përgjigjem fyerjeve të tij. Në fund të ditës, është mirë të flasim” thotë Vuçiç. Kurti gjithashtu deklaroi se nuk do të ketë vend për Listën Serbe në qeverinë e re të Prishtinës.
“Sa i përket Listës Serbe, sipas ligjeve të tyre, ata duhet të japin mandate dhe ne do të shohim në ditët në vijim nëse Lista Serbe do t’i pranojë,” tha Vuçiç. Ai po ashtu njoftoi se, në ditët në vijim, do të mbahet një takim në qytetin serb të Kurshumlisë me përfaqësuesit e Listës Serbe.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




