Kosova

Haga: Kemi shumë dëshmitarë kundër Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit

Gjykata e Hagës është duke mbajtur konferenca e tretë statusore kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të cilët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzit.

Në nisje të kësaj konference, Prokuroria e Specializuar tha se është duke mbledhur materiale kundër ish-krerëve të UCK-së, duke folur edhe për dëshmitarët që do të bëhen pjesë e procesit. Avokati i Thaçit, David Hooper, tha se deri tani janë informuar për 124 dëshmitarë, të cilët Prokuroria i ka identifikuar vetëm me pseudonime. Por, ai kërkoi nga Prokuroria që t’ua dorëzojë listën e dëshmitarëve që do të përdorë në gjyq, në mënyrë që mbrojtja të kryejë hetimet e duhura.

Mbrojtja e Thaçit po kërkon dokumentet që lidhen me dëshmitarët, në mënyrë që ata të mund të përgatisin mbrojtjen. Prokuroria ka thënë se ende nuk ka vendosur nëse do të përdorë të gjithë dëshmitarët në gjyq dhe argumentoi se për disa nga dëshmitarët do të duhet të vendosen masa mbrojtëse.

Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi nuk po marrin pjesë fizikisht në këtë seancë, por po e ndjekin përmes një video live.

Avokati i Veselit, Ben Emmerson tha nga ana tjetër se Prokuroria “i ka varrosur provat relevante në një mal provash jorelevante”. Ai u ankua se ka një “kaos” sa i përket nxjerrjeve të materialeve, duke thënë se Prokuroria duke nxjerrë materialeve voluminoze dhe duke mos treguar se cilat dëshiron t’i përdorë, po ia pamundëson mbrojtjes që të përgatitet për gjykim.

Por, Prokuroria tha se komentet e Emmerson janë një “retorikë” dhe se ai po flet në mënyrë të përgjithësuar. Zyra e Prokurorit të Specializuar tha se së bashku me dorëzimin e materialeve te mbrojtja, ua ka dorëzuar edhe udhëzim specifik për këto materiale.

Mbrotja e ish-krerëve të UÇK-së thotë se Prokuroria po ua dorëzon materialet, duke mos treguar hollësi për to, duke argumentuar se ata e kanë të vështirë që të bëjnë lidhjen e materialeve që pranojnë, me rastin ndaj klientëve të tyre.

Mbrojtja e Selimit dhe Krasniqit u pajtuan se janë të pakënaqur me mënyrën se si Prokuroria po nxjerr materialet për këtë rast gjyqësor.

Avokati i Selimit, David Young tha se “jemi në një rrugë pa krye”, teksa foli për mënyrën sesi Prokuroria ka nxjerrë provat.

Avokati i Veselit po ashtu kërkoi që Prokuroria t’ua dorëzojë dosjen paragjyqësore deri në fillim të prillit, në mënyrë që mbrotja të mund të nisë hetimet e saja për çështjen.

Zyra e Prokurorit të Specializuar tha se i duhen disa muaj kohë që të përgatisë dosjen paragjyqësore.

Ish-presidenti, ish-kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, ish-anëtari ii Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, dhe ish-zëdhënësi i UÇK-së gjenden në paraburgim në Hagë dhe janë deklaruar të pafajshëm.

Sipas aktakuzës, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi dyshohen për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte, ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit, burgosje dhe zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje. Krimet pretendohet se janë kryer në disa lokacione të Kosovës dhe në veri të Shqipërisë, përkatësisht në Kukës dhe Cahan.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale, hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë