Komisioni Qendror Zgjedhor ka përfunduar sot numërimin e votave në të gjitha vendvotimet e Kosovë, duke konfirmuar se Vetëvendosja ka marrë 47,85 për qind të votave.
Pas kësaj partie, vendin e dytë e zë Partia Demokratike e Kosovës, me 17,41 për qind dhe më pas Lidhja Demokratike e Kosovës, me 13,08 për qind. Ndërkohë, AAK e Ramush Haradinaj ka marrë 7,43 për qind, teksa Nisma Socialdemokrate 2,60 për qind, duke mos e kaluar cakun për të hyrë në parlament.
Me rezultatin aktual, Lëvizja Vetëvendosje mund të ketë 55 deputetë, Partia Demokratike e Kosovës 20, Lidhja Demokratike e Kosovës 15 dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 9 deputetë, ndërsa 20 i kanë pakicat në parlamentin me 120 të zgjedhur.
Megjithatë, rezultati final do të vijë pas numërimit të votave me kusht dhe atyre të diasporës, të cilat shkojnë zakonisht për Vetëvendosjen dhe sipas parashikimeve ka gjasa ta çojë mbështetjen për Kurtin në mbi 50% të votave. Në KQZ, deri më 12 shkurt, kanë arritur 43.447 pako nga shqiptarët e Kosovës që jetojnë dhe punojnë jashtë, të cilat do të hapen për verifikim më sot, proces ky që mund të marrë deri në dhjetë ditë kohë. Numri i votave mund të jetë më i madh, pasi besohet se brenda një pakoje, mund të ketë më shumë se një fletëvotim. Kjo do të rriste gjasat e Vetëvendosjes për arritjen e shumicës parlamentare.
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti i ka cilësuar këto zgjedhje si referendum, por nuk ka folur asnjëherë për koalicione paszgjedhore.
Në konferencën ku shpalli fitoren pak para mesnatës së 14 shkurtit, Kurti tha se “nuk ka nevojë dhe as ndonjë interes të bëjë koalicion me ata që kanë nevojë të reformohen në opozitë”. Dy partitë më të mëdha në Kuvend pas Vetëvendosjes duket se janë dakort me të.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.