Drejtësia

Pronat, Kushtetuesja rrëzon pjesërisht ligjin e 2015-ës

Gjykata Kushtetuese ka pranuar pjesërisht kërkesën e shoqatës “Pronësi me Drejtësi”, duke shfuqizuar disa nene të ligjit për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave, miratuar nga Kuvendi që në vitin 2015.

Gjykata thotë se duke vlerësuar se boshllëku ligjor i konstatuar nuk garanton shpërblimin e drejtë të së drejtës së pronës private dhe cenon parimin e sigurisë juridike dhe se nuk është respektuar standardi i parashikuar në nenin 118 të Kushtetutës.

Gjykata ka shfuqizuar pikën dy të nenit 7 të këtij ligji, që ka të bëjë me kompensimin financiar dhe procedurën e ndjekur për këtë kompensim. Kushtetuesja ka rrëzuar gjithashtu edhe tre pika të VKM-së nr. 223, që ka të bëjë po me rregullat dhe procedurat e vlerësimit të shpërndarjes së fondit financiar e fizik për kompensimin e pronave.

Ndërkohë, Kushtetuesja ka rrëzuar kërkesën për rrëzimin e nenit 6 të ligjit të 2015. Sipas padisë së shoqatës “Pronësi me Drejtësi”, kërkohej rrëzimi i pikës B të këtij neni, ku thuhej se prona e kthyer vlerësohet duke e përcaktuar atë nga diferenca, që do të rezultojë midis vlerës së saj, sipas zërit kadastral aktual, dhe vlerës së kësaj prone, sipas zërit kadastral në kohën e shpronësimit.

Në fund, Gjykata i kërkon Kuvendit që të plotësojë ligjin, ndërsa përcakton se vendimi i saj hyn në fuqi 6 muaj pas botimit në Fletoren Zyrtare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë