Lëvizja Vetëvendosje duket se është për të tretën herë fituese e zgjedhjeve të parakoshme të Kosovës. Edhe pse rezultatet nuk janë ende zyrtare, partia e ish-kryeministri Albin Kurti duket se marrë dyfishin e votave në krahasim me zgjedhjet e vitiit 2019, kur mori 26% të votave. Por këto zgjedhje, Vetëvendosje duket se korrur fitoren më të madhe që nga themelimi i saj në vitin 2005.
Sipas rezultateve preliminare, me 95 për qind të votave të numëruar, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 48.17 për qind të votave. Në mbrëmje, Kurti shpalli fitoren në zgjedhjet e 14 shkurtit, duke e quajtur votimin një “referendum” për Kosovën.
“Ky referendum për drejtësi, punë dhe kundër kapjes së shtetit dhe korrupsionit, u fitua. Është diçka e pashembullt në Kosovën e pasluftës”, tha Kurti në një konferencë për media të dielën mbrëma.
Ai u zotua se qeveria e tij nuk do të hakmerret me askëmd, por se do të kërkojë llogaridhënie. Lideri i LVV-së, Kurti tha se fitorja në zgjedhjet e 14 shkurtit “është vetëm mundësia për të filluar ndryshimin që e duam. Na presin shumë punë dhe shumë angazhim sepse vendi është në kriza të shumëfishta”.
Kurti falënderoi oponentët e tij politikë për garë fer dhe tha se ato duhet të reformohen. I pyetur për mundësinë e koalicioneve, sipas tij, rezultati zgjedhor sugjeron se ata mund të krijojnë vetë qeverinë.
“Ky rezultat tani ne na e konfirmon se nuk kemi nevojë, e nuk kemi interes për ata që duhet të reformohen në opozitë”, theksoi Kurti.
Ndërkaq, Vjosa Osmani, e cila ka garuar për postin e presidentes në kuadër të listës së Vetëvendosjes, tha se fitorja në zgjedhje nënkupton punën në përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve dhe në punën për luftimin e korrupsionit.
“Misioni ynë mbetet fuqizimi i shtetësisë sonë dhe rrugëtimi drejt anëtarësimit në strukturat atlantike si dhe miqësia jonë e përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Osmani.
Partia Demokratike e Kosovës, që ka dalë e dyta dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, që është e treta, kanë deklaruar se do të qëndrojnë në opozitë. Por, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, që sipas rezultateve preliminare radhitet e treta, ka thënë se nuk ka vija të kuqe për asnjë parti, sa i përket koalicioneve të mundshme qeverisëse.
Kandidati për kryeministër i Lidhjes Demokratike të Kosovës Avdullah Hoti, tha nga ana tjeter se Kosova ka përmbyllur një proces të rregullt zgjedhor.
Sipas tij, kjo tregon për kulturën demokratike që është vendosur në procese zgjedhore, që siç thotë Hoti, është përmbushje e standardeve evropiane.
Ai thotë se pret që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të përmbyllë sa më parë procesin e numërimit të votave dhe certifikimit të rezultateve, që t’i hapet rrugë themelimit të institucioneve të reja të vendit.
Qeveria në detyrë, shtoi Hoti, do të kujdeset për mbarëvajtjen e punëve deri në zgjedhjen e qeverisë së re nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.
“Rezultatet preliminare janë krejt tjera prej atyre që kemi pritur. Prandaj, unë e marrë përgjegjësinë e plotë për këtë rezultat zgjedhor të LDK-së. Në ditët në vijim do të diskutojmë gjerësisht me organet e LDK-së për këtë. Në emër të LDK-së ne do të jemi mbrojtës të pa kompromis të demokracisë dhe të orientimit properëndimor, duke qenë opozitë konstruktive në interes të shtetit të Kosovës”, tha Hoti.
Ndërkohë, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa në një postim në Facebook, ka shkruar se në ditët në vijim, do të bëjnë një analizë të thellë të zgjedhjeve.
“Z. Hoti ka bërë një punë të shkëlqyeshme si kryeministër, por edhe gjatë fushatës. Çfarëdo të jetë, LDK e respekton rezultatin e zgjedhjeve”, ka shkruar Mustafa.
Partia Demokratike e Kosovës ka uruar nga ana tjetër Kurtin për fitoren, por paralajmëroi se nuk do të formonte një qeveri me Vetëvendosjen.
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj dhe kandidati i kësaj partie për kryeministër ka bërë të ditur se partia e tij, nuk do të jetë pjesë e qeverisë.
“PDK-ja nuk do të jetë pjesë e qeverisë me Lëvizjen Vetëvendosje, pasi që kemi dallime të mëdha në orientimet tona politike dhe nuk bëjmë kompromis me vlerat mbi të cilat është ndërtuar dhe në të cilat qëndron PDK-ja. Kosova ka nevojë për stabilitet dhe ne zotohemi që do të jemi faktor i stabilitetit si parti në opozitë ”, tha Hoxhaj në një konferencë për media.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.