Komunitet

Vjedhja e lajmeve në median online, alarmante

Fenomeni i vjedhjes së lajmeve është një praktikë alarmante në median online në Shqipëri.

Vetëm gjatë periudhës 2019-2020, Unioni i Gazetarëve Shqiptarë raporton mbi 100 raste ankesash dhe denoncimesh publike për vjedhje lajmesh, materialesh të sigluara si ekskluzivitete nga redaksitë online etj.

Madje, në vitin 2019, disa online kanë denoncuar media te tjera online, që u përkasin mediave tradicionale dhe janë pjesë e grupeve mediatike multimediale.

“Nga ndjekja që unë personalisht, por dhe përmes gjithë strukturave të Unionit të Gazetareve Shqiptare, i kemi bërë skenës mediatike të online-it në vend rezulton se gjatë 2019-2020 ka pasur raste të shpeshta të reagimeve, ankesave juridike dhe denoncimeve publike të mediave ndaj mediave, të online-ve  ndaj administratorëve të online-ve të tjera”, shprehet për gazetën “Si”, kreu i UGSH, Aleksandër Çipa.

Çipa vëren se ankesat dhe denoncimet për kësi përvetësimesh apo publikimesh të paautorizuara të lajmeve apo materialeve në zhanre dhe gjini të ndryshme janë shtuar sidomos, pasi shumë prej redaksitë, sektorët e IT të tyre dhe administratorëve kanë siguruar kontrata të veçanta me kompanitë e mëdha të trafikut të internetit si Google, FB, You Tube, Yahoo, etj.

Por ndërkohë që në shumë vende të botës është ngritur si çështje përvetësimi i materialit mediatik nga kompani si Google apo Facebook, në Shqipëri, kjo problematikë është shumë më e thellë dhe e gjerë.

Qoftë edhe me një vështrim të thjeshtë të atyre që publikojnë media të ndryshme në vend e kupton se lajmet në shumicën e rasteve “shëtisin” sa nga një media në një tjetër, duke “ligjëruar” kështu një lloj vjedhje të tyre brenda për brenda tregut mediatik.

Është për t’u vërejtur është se në shumë raste, media të caktuara vjedhin punën e bërë nga gazetarë të një mediaje tjetër, pa e cituar aspak se ku e kanë marrë lajmin apo emrin e gazetarit, që ka punuar për të realizuar një artikull apo një material të caktuar.

Për drejtuesin e Unionit të Gazetarëve të Shqipërisë, Aleksandër Çipa, “Përvetësimi i lajmeve apo materialeve të publikuara me qëllim informimi ose edhe për motive të tjera është jo vetëm një akt dhe veprim i padrejtë, por është përvetësim i pronës së tjetërkujt.”

Ai shton se në pikëpamjen klasike përballesh me dy të drejta pronësore të shpërfillura, sa herë e kryen këtë akt.

“Përvetëson pronën autoriale të dikujt dhe të drejtën e publikimit të atij apo dikujt tjetër.”

Ndërsa sipas tij, “Nuk konsiderohet si i tillë ky akt nëse ke autorizimin autorial ose të medias apo rrjetit social ku është publikuar së pari ky material.”

Ai vëren se për të qenë korrekt dhe për të respektuar këto të drejta, çdo person apo media, kur huazon një tekst apo material çfarëdolloj nga një hapësirë interneti duhet të kontaktojë  me autorin ose publikuesin, të cilët janë “pronarët” e materialit në fjalë.

Ndërsa në kapërcim të këtyre dy pikave, gjendesh para një të drejte të mohuar dhe një veprimi që meriton në mos penalizimin, më së pari detyrimin reargues dhe respektues.

Çfarë nismash duhet të ndërmerren?

 Sipas Çipës, por edhe një sërë gazetarësh të medias online në vend, ky realitet imponon lëvizje dhe nisma.

 “Lëvizjet dhe nismat duhet të merren në dy drejtime: në fushën vetërregulluese dhe në atë rregulluese. Nismat rregulluese, të cilat përgjithësisht vijnë prej politikës dhe kalojnë si përgatitje ligjesh të reja apo amendime ligjore nuk janë të plota dhe mbeten jo vetëm jo shteruese, por edhe deformuese dhe krijojnë premisa për standarde të dyfishta dhe politika selektive”, shprehet Çipa.

Ai vëren se nismat vetërregulluese të ndërmarra në disa vende të BE, si: në Suedi, në Gjermani, në Francë, Slloveni kanë krijuar efekte të menjëhershme përmirësimi.

“Në shumë vende disa amendime janë bërë duke ju referuar legjislacionit tradicional për të drejtat autoriale, botuese, pronësinë intelektuale dhe atë të shpërndarjes dhe publikimit. Australia është një ndër vendet, që në kuadër të rregullimeve që imponoi tregu i online-ve, bëri amendime serioze mbi legjislacionin, duke përfshirë edhe rregullime, që lidhen me praktikat botuese në online, me të drejtat autoriale dhe ato të së drejtës publikuese.”

Duhet thënë se kompanitë e mëdha të trafikut global të internetit, si: Google, FB, Yahoo, You Tube etj., etj. , në seksionet e tyre  të konsultës juridike ofrojnë opsione për zgjidhje lokale dhe gjuhësore për kësi të drejtash.

Çipa pohon se disa operatorë në vendin tonë dhe në hapësirën shqiptare kanë qenë në negociata dhe kanë arritur kontrata të leverdisshme, përfshi këtu edhe disa blogje ose media online shqiptare, të cilat si pronësi u përkasin administratorëve që jetojnë dhe janë rezidentë jashtë territorit administrativ të Shqipërisë.

Një Këshill Kombëtar për vetërregullimin e medias?

Çipa shprehet se ai beson tek rikompozimi i një strukture të re vetërregullimi.  Ai propozon që një përfaqësues i redaksisë ose editorit të seicilës prej mediave online, që është e regjistruar dhe e njohur prej administratorit të saj ligjor, një anëtar nga çdo organizatë gazetarësh apo institut, që në fokus të veprimtarisë kanë median dhe skenën mediatike të vendit, mund të bëhen anëtarë të Këshillit Kombëtar të Vetërregullimit të Medias Shqiptare.

“Ky Këshill, duke qenë organi më i madh konsultativ i mediave për çështje të vetërregullimit, zgjedh Bordin Kombëtar Ekzekutiv dhe dy strukturat deontologjike e juridike të veta: Departamentin e Respektimit të Kodeve të Etikës dhe atë Ekzekutiv. Të gjitha vendimet që merren nga dy Departamentet dhe miratohen  për ekzekutim nga Bordi Kombëtar Ekzekutiv, në mënyrë periodike publikohen dhe bëhen të njohura për të gjitha subjektet. Në këtë mënyrë ne krijojmë për herë të parë mekanizmat tona Ekzekutive Vetërregulluese. Është forma më demokratike, më profesionale, më gjithëpërfshirëse dhe më e balancuar.”

Sipas Çipës, nëse ngrihen këto mekanizma ekzekutivë, atëherë bëhet e mundur, që hapat vetërregullues të plotësohen me nismat rregulluese, ku përfshihen edhe amendimet ligjore, si dhe bashkëpunimi me AMA (Autoritetin e Mediave  Shqiptare) për pagesat që rrjedhin nga detyrimet për pronësinë autoriale dhe atë të publikimit, sa herë përdoret një përmbatje e dikujt tjetër dhe e një medieje tjetër.

Ai shton se përgatitjet e rregulloreve dhe statuteve specifike nuk janë problem, pasi ekzistojnë modele dhe mund të përgatiten, duke pasur parasysh edhe kushtet dhe specifikat e skenës mediatike shqiptare.

 “Vjedhja” në botë. A do të paguajë për lajmet Google?

“Google dhe kompani të tjera teknologjikë duhet të paguajnë patjetër për përdorimin e përmbajtjes mediatike!”

Kjo është ajo çfarë thonë me bindje përfaqësues të parlamentit australian, duke iu përgjigjur kërcënimit të gjigandit të internetit, për të çaktivizuar motorin e tij të kërkimit në vend, nëse detyrohet të paguajë botuesit lokalë për lajme.

Pak kohë më parë, google tha se ligji i propozuar, që synon të kompensojë botuesit për vlerën që gjenerojnë historitë e tyre për kompaninë, është “i parealizueshëm”. Google kundërshtoi kërkesën, që të paguajë kompanitë mediatike për shfaqjen e artikujve apo pjesë të këtyre artikujve në rezultatet e kërkimit.

Ndërsa Google përshkallëzon një ballafaqim disa mujor me qeverinë, Josh Frydenberg tha se Australia mund të jetë ose një “udhëheqës botëror” në nxitjen e kodit ose do të presë që të ndjekë të tjerët në miratimin e një legjislacioni të ngjashëm.

“Duket se gjigantët digjitalë i bënë vetes një dëm të madh kur kërcënuan shumë hapur dhe publikisht publikun australian se do të tërhiqen dhe heqin motorin e kërkimit nga Australia nëse legjislacioni do të vazhdojë të jetë siç aktualisht është propozuar”.

Kërcënimi i Google është më i fuqishmi, pasi gjiganti digjital përpiqet të ndalojë një rrjedhë të veprimeve rregullatore në të gjithë botën, por një hap i tillë radikal do t’u dorëzonte rivalëve një treg të tërë të zhvilluar. Të paktën 94% e kërkimeve në internet në Australi kalojnë përmes njësisë Alphabet Inc., sipas rregullatorit lokal të konkurrencës.

Facebook Inc., e vetmja kompani tjetër e shënjestruar nga legjislacioni, gjithashtu kundërshton ligjin në Australi. Platforma e mediave sociale përsëriti se po konsideron të bllokojë australianët që të ndajnë lajme në Facebook nëse ligji zbatohet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë