Ekonomi

Sejko nga Kuvendi: Kujdes me politikat monetare në një ekonomi të vogël si e jona!

Guvernatori Genc Sejko bëri thirrje sot për më shumë kujdes me politikat monetare që ka paralajmëruar të vërë në jetë qeveria shqiptare. Deklaratat Sejko i bëri sot gjatë konferencës ‘’Pandemia dhe Rimëkëmbja’’ organizuar nga Kuvendi i Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave të Shqipërisë.

Sejko, i cili foli për situatën ekonomike gjatë pandemisë dhe strategjitë e perballjes, tha se bankat qendrore kanë dalë jashtë kornizave në këtë moment duke aktivizuar një politikë monetare  ekspansioniste mbështetur në bilancin e bankës qendrore.

Sejko rikujtoi krizën ekonomike të 2008-ës ku bankat hodhën në treg sasi të mëdha likuiditeti duke blerë cdo letër me vlerë apo të pasurisë që tregtohej. Në të njëjtën mënyrë shihet edhe situata  e pandemisë nga bankat duke menduar zgjerimin e bilancit.

Guvernatori tha se është normale që ekspertët të kenë pikëpyetje mbi zbatimin e këtyre politikave jokonvencionale në ekonomitë e vogla, me shkallë të lartë euroizmi dhe monedhë të dobët, si rasti i vendit tonë.

BSH-ja nuk ndërmori politika të tilla sepse kishte hapësirë për një ekspansion monetar nëpërmjet uljes së normës së interesit.

Sejko e mbylli fjalën e tij duke thënë se ndryshimet e propozuara në ekonomi do të vërtetohen nga rezultatet e bankave qendrore që i kanë aplikuar .


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë