Prokuroria e Posaçme ka nisur hetimet penale me tre akuza të rënda në lidhje me përgjimet e publikuara të Ndraghetas. Akuzat janë nga korrupsioni i zyrtarëve, deri tek grupi i strukturuar kriminal, pastrimi i parave dhe kryerja e veprave penale në kuadër të organizatave kriminale.
Procedimi penal është regjistruar me numër 17 dhe mban datën 25 janar, fill pas daljes në media të përgjimeve të antimafias italiane, ku elementë të “Ndraghetas” flisnin për investime në Shqipëri.
SPAK thotë se regjistrimi i këtij procedimi penal është bërë mbi bazën e disa artikujve të publikuara në media të ndryshme, në lidhje me hetimet e kryera nga Prokuroria Anti-mafia e Katanzaros në Itali, të cilat hedhin dyshime në lidhje me përfshirjen e shtetasve shqiptarë dhe të huaj, në aktivitete kriminale në Shqipëri.
Pas publikimit të këtyre përgjimeve, SPAK tha se kontaktoi autoritetet italiane, me të cilat këtë të enjte ka zhvilluar një takim në Romë.
“Takimi u realizua nën drejtimin e zotit Federico Cafiero de Raho, Drejtues i Prokurorisë Kombëtare Antimafia dhe Antiterrorizëm, Itali dhe zotit Arben Kraja, Drejtues i Prokurorisë së Posaçme, Shqipëri, me pjesëmarrjen dhe të prokurorëve italianë dhe shqiptarë që hetojnë këto dy procedime penale në shtetet respektive”, thuhet në njoftimin e SPAK.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.