Sociale

COVAX, Shqipëria merr 141 mijë e 600 doza të AstraZeneca

COVAX ka publikuar zyrtarisht planin paraprak të shpërndarjes së vaksinave AstraZeneca dhe Pfizer.  Në fakt paraprakisht do të jenë 240 milionë doza të AstraZeneca, si dhe 60 milionë të tjera nëpërmjet Gavi që do të jepen deri në qershor për dhjetëra vende, përfshi Shqipërinë dhe Kosovën.

Sa i përket Shqipërisë, është planifikuar që nga COVAX të përfitojë 141 mijë e 600 doza të vaksinës së AstraZeneca nga COVAX. Nga ana tjetër për Kosovën planifikohet 100 mijë e 800 doza, po të AstraZeneca.

Bosnje dhe Hercegovina ka siguruar 153,600 doza të AstraZeneca dhe 23,400  doza të Pfizer, Mali i Zi ka siguruar 84 mijë doza të vaksinës AstraZeneca, Maqedonia e Veriut ka siguruar 103 mijë e 200 doza të Astra Zeneca. Ky është plani paraprak i COVAX, ndërsa në gjysmën e dytë të vitit, organizata ka në fokus shpërndarjen e të tjera dozave të vaksinës.

Vaksina e AstraZenecas që pritet të vijë në Shqipëri përmes COVAX, sipas kompanisë ka një efektivitet rreth 90%, duke u bërë vaksina e tretë e rëndësishme në luftën kundër COVID19. Kompania është zotuar se do të ketë gati 700 milionë doza për të shpërndarë në fund të çerekut të parë të vitit 2021. Vaksina e AstraZeneca është me dy doza, dhe sipas studimeve në Britani dhe Brazil ku ka nisur vaksinimi, pacienti merr gjysmë doze herën e parë dhe një dozë të plotë pas një muaji.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë