Mutacioni britanik i virusit koronavirusit mund të jetë duke u përhapur i pazbuluar në Shqipëri. Edhe pse në vendin tonë nuk ka asnjë rast të konfirmuar më këtë variant, një vajzë e re që sapo ishte kthyer nga Shqipëria në Gjermani ka rezultuar e infektuar më këtë mutacion.
Gazeta gjermane, Frankfurter Allgemeine Zeitung shkruan se 22-vjeçarja shqiptare, e cila kishte udhëtuar nga Tirana në Gjermani shfaqi fillimisht simptoma të lehta të Covid-19 pak pas kthimit dhe rezultoi e infektuar me mutacionin B.1.1.7. Autoritetet gjermane thonë se mostra kishte rezultuar anormale në laborator, duke i shtyrë ta analizojnë nëse ishte apo jo mutacion.
Shqiptarja po mbahet në karantinë, ndërkohë që departamenti i shëndetësisë po gjurmohen kontaktet e njerëzve të infektuar dhe të ndërpritet zinxhiri i infeksionit.
Aktualisht, të gjithë udhëtarët që marrin një avion drejt Gjermanisë duhet të paraqesin një tampon negativ dhe është ende e paqartë nëse 22-vjeçarja e ka bërë tamponin në kohën kur nuk kishte simptoma, duke rrezikuar kështu të infektonte të gjithë udhëtarët e pranishëm në bord pa e ditur se ishte me Covid.
Deri më tani, mutacioni britanik i koronavirusit është shfaqur pothuajse në të gjitha vendet fqinje të Shqipërisë, në Maqedoninë e Veriut, Itali dhe Greqi. Por në vendin tonë nuk është konfirmuar ende asnjë rast me këtë variant, edhe pse dy javët e fundit ka pasur një rritje të ndjeshme të rasteve.
Instituti i Shëndetit Publik i thotë Gazetës Si se deri më tani, nga analizimi i mostrave në laboratorin e ISHP-së nuk është zbuluar qarkullimi i ndonjë mutacion i ri. Shefja e Shërbimit të Epidemiologjisë në ISHP Silva Bino ka theksuar vazhdimist se Shqipëria kishte të gjitha kapacitetet për zbulimin e varianteve të reja, përfshirë edhe variantin anglez, por bëri sot një hap pas duke thënë se vendi ynë ka dërguar monstrat e para për analizim në Berlin.
Në një deklaratë për mediat, Bino njoftoi sot janë dërguar 30 monstra në një laborator në kryeqytetin gjerman. Shqipëria, ndryshe nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, kishte nguruar të analizonte mostrat për mutacione jashtë vendit, duke theksuar vazhdimisht se ato mund të zbulohen edhe nga laborarori i ISHP-së.
Por deklaratat që vijnë nga Institucioni i Shëndetit Publik bien prej kohësh ndesh me njëra-tjetrën. Kur u mësuan rastet e para të variantit anglez të Covid-19 në dhjetor, Dritan Ulqinaku, nëndrejtor i Institutit të Shëndetit Publik do të deklaronte i pari se Shqipëria nuk e ka kapacitetin për të zbuluar dhe ‘kapur’ variantin e ri të Covid-19, por këto deklarata u hodhën poshtë nga Ministria e Shëndetësisë.
Në atë kohë, ISHP tha se monstrat do të dërgoheshin në laboratorët në Londër, pasi për zbulimin e këtij varianti duhet laboratorë të nivelit 3-4, të cilët sipas tij, Shqipëria nuk i ka.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.