Ekspozite

Tërmeti i 26 nëntorit/ Artisti Oltsen Gripshi kthen dhimbjen në art

Nga Luljeta Nelallari – Katër stinët… dimri, pranvera, vera dhe vjeshta vijnë të ravijëzuara në tablo, piktura dhe instalacione në një sfond krejtësisht të zi në Pavijonin e Artit në Ministrinë e Kulturës.

Ekspozita personale e artistit Oltsen Gripshi, “Stinët e qenies apo himni i jetës” përbën një prezantim të bukur të piktorit me publikun për këtë vit.

Një himn për jetën ku si motiv ka tërmetin tragjik të 26 nëntorit 2019, pasi siç rrëfen vetë piktori për Gazetën “Si” është historia e tij personale, dhimbja dhe drama, ajo që e ka nxitur për këtë vepër arti.

“Ajo që më nxiti për të bërë këtë ekspozitë është tërmeti i nëntorit 2019 dhe shtëpia që e kisha nuk ekziston më, le të themi që jeta e prindërve dhe e imja në pak sekonda u zerua dhe nuk mund të mbetesha indiferent ndaj kësaj gjëje dhe e kalova atë dhimbje në diçka artistike”, shprehet artisti për Gazetën “Si”.

Përpos pasojave të rënda që la pas ky tërmet, artisti u jep vlera muzeale, atyre gjërave që la pas tërmeti, duke pasqyruar rrugëtimin e qenies njerëzore në katër stinë të vitit.

Artisti Oltsen Gripshi

Të katërta stinët vijnë si një lloj dyzimi midis natyrës dhe individit, se si qenia qëndron në një hapësirë të caktuar, në një kontekst të caktuar, shoqëror, kulturor, antropologjik dhe për më tepër se si kjo qenie ndikohet nga natyra.

Është pikërisht një jorgan i kaltër i nënës së tij, një ndër të paktat gjëra që ka mbijetuar në rrënoja që jep idenë e dimrit në këtë ekspozitë.  

Jorgani i nënës së tij

“Një vepër instalative e bërë me jorganin e sime mëje, i papërdorur asnjëherë, gati 50-vjecar dhe ndër të paktat gjëra që është marrë nga ato rrënoja. Jorgani është me ngjyrë të kaltër dhe e kam zhveshur nga konteksti i diçkaje shumë intime, familjare, e marrë dhe e ekspozuar në një sallë muzeale”, shpjegon artisti.

Aty afër është edhe një korb, si një lojë dyzuese, mes natyrës dhe qenies, jorgani si një pjesë shumë intime, korbi vjen si lajmëtari midis qiellit dhe tokës.

“Korbi është edhe simbolika e errësirës, pra errësira që pllakosi njerëzit pas tërmetit të fuqishëm”, shpjegon artisti, ndërsa vë në pah se në këtë ekspozitë mbizotëron ideja e triumfit dhe vazhdimësisë, pasi gradualisht kalohet në stinën e pranverës.

Ardhja e pranverës

“Pranvera ka një shpend që është dallëndyshja, dihet botërisht që dallëndyshja simbolizon ringjalljen dhe ngjyrat këtu ndryshojnë nga e kaltra duke shkuar në ngjyra të ngrohta”, rrëfen ndër të tjera Gripshi.

Më pas, Gripshi pasqyron verën me anë të një ngjyre të verëdhë shumë të fortë dhe qarkohet e gjithë tabloja nëpërmjet një gjarpri.

Gjarpri, shpjegon Gripshi “nuk është i vendosur rastësisht në atë lloj forme, dhe në qendër qëndron vetëm një mizë, janë dy elementë që lidhen ngushtësisht me verën, miza është në të katër stinët. Gjarpri pastaj është menduar gjithmonë si një zvarranik në konotacionin negativ si sulmues, por në fakt është krejt e kundërta, qoftë në mitologji, pasi gjarpri konsiderohet dhe si mbrojtësi i një territori të caktuar”.

Vera me anë të ngjyrës së verdhë të fortë

Një imagjinatë e piktorit që në shtëpitë private, gjarpërinjtë qarkullojnë në një hapësirë të caktuar dhe nuk lejojnë të tjerë të futen në atë territor.

Dhe stinët përfundojnë me vjeshtën, e cila jepet e gjitha mbi gjethe, qoftë në telajo, qoftë të ngjitura në mur, të shpërndara, duke krijuar një hapësirë shumë të madhe.

“Të shkelësh mbi gjethet e thata, të ndjesh kënaqësinë e të shkelurit, vetë personi është brenda veprës. Shumë e rëndësishme për mua është dialogu që vepra të mos mbetet e shkëputur nga publiku”, rrëfehet artisti.

Gjethet e vjeshtës

Dhe pas katër stinëve, qëndrojnë tre elementë shumë simbolikë. Tulipani si një simbol i jetës, një kafkë që simbolizon dhe personifikon vdekjen, po ashtu është një vezë që ka të bëjë me pjesën e embrionit të jetës, duke dhënë idenë e triumfit, përpos errësirës.  

“Pra gjithmonë jeta triumfon mbi këtë errësirë, mbi çdo gjë që i ndodh personit gjatë rrugëtimit të tij, në tërën e vet triumfojnë ngjyrat sepse janë tri ngjyra është bluja, ngjyrat e ngrohta dhe e verdha, dhe falë këtyre tre ngjyrave kemi të gjitha tonalitetet e jetës, e gjithë kjo triumfon mbi negative, mbi të zezën”, përfundon artisti.

Ekspozita që në tërësinë e saj na jep idenë e triumfit të kohës përpos gjithçkaje që ndodh, do të qëndrojë hapur në “Pavijon” në Ministrinë e Kulturës deri në fund të këtij muaji.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë