Kosova

Vuçiç: I gatshëm ta dëgjoj Macron për dialogun Kosovë-Serbi

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç po zhvillon sot një vizitë zyrtare në Paris, për të biseduar me presidenti francez Emmanuel Macron mbi të ardhmen e dialogut me Kosovën.

Duke falënderuar Presidentin Macron për bashkëpunimin në projektin e ndërtimit të një metroje në Beograd, Vuçiç deklaroi se Serbia shpreson të mund të mbështetet gjithmonë tek Franca. “Franca nuk është vetëm një vend i rëndësishëm për ne, por një mik i vërtetë,” tha Vuçiç.

“Çështja e Kosovës dhe Metohisë është një çështje shumë e rëndësishme për ne dhe të gjithë duhet të punojmë për të arritur një zgjidhje kompromisi për të dy palët, gjë që nuk ka qenë deri më tani. Unë kam qenë gjithmonë i gatshëm të dëgjoj Presidentin Macron dhe idetë e tij. Unë do t’i paraqes platformën tonë Presidentit Macron dhe jam i sigurt se do të kemi një marrëveshje të ndershme dhe të hapur dhe se do të arrijmë diçka në periudhën e ardhshme”, tha Vuçiç.

Presidenti Macron deklaroi nga ana tjetër se në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit është e rëndësishme që të arrihet një zgjidhje për të cilën bien dakord të dyja palët.

“Në këtë çështje, të vetmet zgjidhje që çojnë në përpara, janë zgjidhjet për të cilat të dyja palët pajtohen, dhe të cilat do të na mundësonin të zgjidhim përfundimisht këtë çështje të rëndësishme që është në zemër të Evropës”, ka thënë Macron.

Ai u tha gazetarëve se ai gjithashtu do të angazhohej dhe do të siguronte mbështetje për të gjithë ata që janë të interesuar në zgjidhjen e çështjes së marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës.

Vucic vuri në dukje se Franca do të marrë presidencën e BE-së në gjysmën e parë të 2022 dhe se dëshiron që deri atëherë të arrihen rezultate të caktuara në dialogun Kosovë-Serbi.

“Duke pasur parasysh peshën e situatës me të cilën po përballemi në të gjithë Ballkanin, nuk është aspak e lehtë, por unë do të jem shumë i sinqertë dhe do të flas hapur me Macron për këtë,” njoftoi Vuçiç pak para nisjes për në Paris.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë