Zbulimi i rasteve të para me variantin britanik të koronavirusit pritet të sjellë sipas epidemiologëve një rritje të ndjeshme të të infektuarve dhe duhet të jetë alarm për qytetarët për kujdes të shtuar dhe respektimin e masave.
Ekspertët paralajmërojnë se në javët në vazhdim Kosova mund të regjistrojë rritje të rasteve të reja edhe për faktin se partitë politike po zhvillojnë tubime elektorale, në të cilat, në shumtën e rasteve nuk po respektohen dy masat kryesore kundër pandemisë: mbajtja e maskës dhe distancës.
Varianti i ri, që u identifikua fillimisht në Mbretërinë e Bashkuar në shtator të vitit të kaluar, sipas ekspertëve, është më ngjitës se varianti fillestar i koronavirusit. Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë se ky variant tashmë është përhapur në mbi 70 vende të botës.
Infektologu në Qendrën Klinikë Universitare të Kosovës, Sali Ahmeti bën thirrje që më shfaqjen e rasteve të para që nuk kanë lidhje më njëra-tjetrën, qytetarët dhe institucionet duhet të rrisin vigjilencën.
“Variantin e ri e kemi në mesin tonë. Kjo nuk do të thotë se ka nevojë për alarm, pasi ky variant nuk ka ndryshime të mëdha në raport me variantin e mëparshëm. Në aspektin klinik, ky variant nuk dallon shumë nga varianti paraprak, por mundësia e përhapjes është më e madhe, natyrisht edhe prekja e moshës se re është më madhe. Por, ky është një sinjal që ne nuk duhet të relaksohemi. Duhet të jemi sa më të kujdesshëm në respektimin e masave mbrojtëse kundër mundësisë së marrjes së infeksionit”, tha Ahmeti.
Epidemiologu Ilir Tolaj, thotë nga ana tjetër se situata epidemiologjike, aktualisht është më e qetë në Kosovë sesa në vendet tjera. “Por, për vetë faktin se 10 për qind e mostrave kanë rezultuar pozitive me variantin e ri, në javët e ardhshme pritet të ketë rritje të rasteve. Rritjes së numrit të të infektuarve do t’i kontribuojnë tubimet e partive politike të cilat mbledhin një numër të madh të qytetarëve në ambiente të mbyllura dhe të hapura, tha Tolaj.
“Prandaj, këto tubime së bashku me variantin e ri, që me siguri ka aftësinë e përhapjes më të madhe, mund ta nxjerrin situatën jashtë kontrollit. Pra, situata mund të dalë nga binarët dhe atëherë masat e jashtëzakonshme të jenë të domosdoshme. Kurse në këtë situatë, e domosdoshme është ndalimi i organizimeve të partive politike në ambiente të mbyllura pa maska dhe pa distancë”, thekson ai.
Sipas Ahmetit, rritja eventuale e rasteve me variantin britanik do të ngarkonte brenda një kohe të shkurtet sistemin shëndetësor të Kosovës.
“Këto ditë qytetarët duhet të jenë shumë të kujdesshëm në mënyrë që mos të kemi rritje të numrit të rasteve. Unë nuk besoj se do të na sjellë në situata kolapsi, por punën do të vështirësohet. Madje, stafi shëndetësor nuk e ka më freskinë e ditëve të para, kur janë paraqitur rastet e para me koronavirus. Një pjesë e tyre janë të infektuar dhe janë në izolim, kanë një lodhje kronike. Kjo nuk do të thotë se nuk jemi në gjendje ta përballojmë, por do jemi në kushte dhe rrethana më të vështira”, tha Ahmeti.
Në shumicën e klinikave të QKUK-së është duke u punuar me kapacitete të plota, ka thënë të premten Valbon Krasniqi, ushtrues i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës.
Në fillim të këtij muaji kishim një rënie të lehtë të të shtruarve, kur ky numër kishte rënë nën 500. Dy javët e fundit, ky numër ka shënuar një rritje të lehtë. Të premten kishte 535 pacientë të shtruar në spitalet e përgjithshme dhe në klinikat e QKUK-së”, deklaroi Krasniqi. /REL
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.