Rregullatorët autorizuan të premten përdorimin e vaksinës së kompanisë AstraZeneca për koronavirusin tek të rriturit në të gjithë Bashkimin Evropian.
Komisioni i ekspertëve të Agjencisë Evropiane të Barnave rekomandoi njëzëri që vaksina të përdoret tek moshat 18 vjeç e lart, megjithëse këtë javë u ngritën shqetësime se nuk ekzistonin të dhëna të mjaftueshme për të vërtetuar se vaksina funksionon tek të moshuarit dhe disa vende lanë të kuptohet se mund të mos i jepnin ato për të moshuarit.
Vaksina e AstraZenekës është vaksina e tretë e COVID-19 që merr dritën jeshile nga Agjencia Evropiane e Barnave pas atyre nga kompanitë Pfizer dhe Moderna.
Vendimi i agjencisë evropiane kërkon miratimin përfundimtar nga Komisioni Evropian, një proces që u krye shpejt me vaksinat e tjera.
Disa orë më vonë, BE-ja dha mbështetjen e saj për përdorimin e vaksinës në të 27 vendet anëtare.
“Pres që kompania të dorëzojë 400 milionë doza siç është rënë dakord. Ne do të vazhdojmë të bëjmë gjithçka që mundemi për të siguruar vaksina për evropianët, fqinjët dhe partnerët tanë në të gjithë botën,”shkroi në Twitter presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.