Presidentja në detyrë e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përcjellë një qëndrim të pazakontë ndaj KQZ-së, ku një ditë më parë ky institucion nuk certifikoi listat e disa partive për zgjedhjet e 14 shkurtit.
KQZ-ja nuk miratoi listat e disa subjekteve politike, me arsyetimin se është bazuar në aktgjykimin e fundit të Kushtetueses, që nuk lejon kandidimin e atyre që janë të dënuar për vepra të ndryshme penale në tri vitet e fundit.
Ky vendim ka prekur edhe VV-në, pasi lideri i saj, Albin Kurti, është i dënuar me kusht për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvend.
Vjosa Osmani, e cila i është bashkuar VV-së për zgjedhjet e 14 shkurtit, e cilësoi mbledhjen e KQZ-së, si presion ndaj Zyrës për Regjistrimin e Partive Politike, e cila i kishte kërkuar KQZ-së që të certifikojë në pako partitë dhe kandidatët.
“Dje u bë presion marramendës ndaj Zyrës për Regjistrimin e Partive Politike dhe Certifikim si dhe u tolerua dhe u ushtrua presion ndaj udhëheqësit të kësaj zyre e cila punon e pavarur politikisht”, tha Osmani.
“Kryetarja e KQZ-së nuk përfaqëson asnjë parti politike por emërohet pikërisht për të mbrojtur paanshmërinë dhe ndershmërinë e këtij procesi, e detyrë edhe më e rëndësishme e saj është mbrojtja e integritetit zgjedhor, ajo çfarë ka ndodhur dje e ka lënduar procesin zgjedhor dhe integritetin e KQZ-së, por e kemi detyrë që me çdo kusht ta shpëtojmë këtë proces. Prandaj në asnjë moment e në asnjë mënyrë nuk duhet të lejojmë që të bimë në kurthat që ndërtohet me qëllim që ky proces zgjedhor të parandalohet e të stërzgjatet”, tha Osmani.
Sipas Kushtetutës, kryesuesin e KQZ-së e emëron presidenti i vendit. Mandati i Kryesuesit të KQZ-së apo cilitdo anëtarë të KQZ-së mund të ndërpritet përmes dorëheqjes ose nga Presidenti i Kosovës me efekt të menjëhershëm, në rrethanat kur: anëtari sillet ose vepron në atë mënyrë që e dëmton seriozisht statusin dhe integritetin e KQZ-së. Një pikë kjo që sa duket do të përdoret nga Vjosa Osmani e cila e tha hapur lëvizjen e saj të radhës.
“Në rast se ballafaqohemi me situata të tilla ku abuzohet me KQZ për të shtyrë përpara agjenda partiake, do të detyrohem të marr të gjitha masat për të mbrojtur këtë institucion ashtu siç e parasheh ligji për zgjedhje siç më detyron Kushtetuta e vendit”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.