Njerez

ANAGNOSTI

Me përulësi, nuk e pranonte të cilësohej si regjisori më i madh i vendit, kur vite më parë e pyesnin nëse e shihte veten të tillë, ndonëse karriera e tij e nisur në vitet ’60 të shekullit XX e për të vijuar deri në fund të dhjetëvjeçarit të shekullit XXI.

Në ditëlindjen e tij të 85-të, ndërsa dekorohej nga presidenti i Republikës me urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, Dhimitër Anagnosti do të shprehej se vepra e kineastëve jeton në çdo brez.

Njeriu që vinte nga bregu i detit, Vunoi, do të nisej drejt Moskës së ftohtë, por që në vitet ’50 ishte një lloj Olimpi për shumë studentë shqiptarë, veçanërisht ata të letërsisë dhe kinematografisë.  “U ambientuam shpejt”, thoshte, për shkak të gjuhës ruse, që e kishte studiar në shkollë.

E mbrojti diplomën me realizimin e filmit “Njeriu kurrë nuk vdes”, një përshtatje e tregimit të Ernest Heminguej e që do të vlerësohej me çmim të parë në një festival ndërkombëtar filmi, në Holandë.

Ishte viti 1961 dhe i fundmit film me një skenar të huaj apo nga një autor i botës perëndimore, që atëkohë anatemohej si “kapitalisto-revizioniste”. Një ofertë nga Estonia që erdhi fill, me keqardhje do të refuzohej nga regjisorët e rinj.

Ishin një brez i shkëlqyer i ardhur nga Rusia, por Anagnosti thoshte se Kinostudioja qe ngritur, duke shmangur me të njëjtën përulësi etiketimet e një gjenerate që ishin edhe themelues të kinematografisë shqiptare. Kinostudioja pat filluar punën, që me themelimin e saj më 1952-shin, ku u realizuan edhe filmat e parë.

Me mençuri, Anagnosti kuptoi se sekreti i një karriere jetëgjatë, por edhe e pandikuar nga vija ideologjike e Partisë, do të qe shmangia nga temat aktuale e politike. Kështu do të zgjidhte tema më universale për filmat e tij.

Roza e Dhimitër Anagnost, në sheshxhirim

Debutimin si regjisor – pasi kishte nisur në Kinostudion “Shqipëria e Re” si operator – e bëri më 1966-n me filmin “Komisari i Dritës”, së bashku me Viktor Gjikën.

Aktoren Roza Anagnosti e pat njohur pak vite më herët në sheshxhirimin  e filmit “Toka jonë”, ku edhe pat lindur dashuria jetëgjatë mes tyre.

Në ceremoninë e dekorimit nga presidenti Meta- në vlerësim të personalitetit gjenial që dominoi historinë e kinematografisë shqiptare – , ishte Roza ajo që lexoi fjalën e shkruar të kineastit, me mirënjohje për vlerësimin.

“Ky shkruan unë po ia lexoj dhe shpesh ia interpretoj”, do të shprehej aktorja e shquar, e cila do të shtonte se megjithëse 85 vjeç,  për do të ishte gjithnjë 20 vjeç.

“Roza pak role ka pasur në filmat e mi”, do të pohonte vite më parë Anagnosti, ku shprehej se kurrë nuk i kishte zgjedhur aktorët për miqësi e aq më pak gjasë prej lidhjes familjare. “Por këtë Roza e ka vuajtur”, pranonte kineasti, ndërsa rreziqet nën regjim nga ato të lidhjeve familjare ishin ndoshta më të paktat.

Më i madhi, për kineastët e atij brezi, qe ballafaqimi i drejtpërdrejtë me diktatorin. Nëse veprat letrare lexoheshin nga Nexhmije Hoxha, filmat shiheshin dhe vlerësoheshin  nga Enver Hoxha vetë.

Ato ia shfaqte një kino-operator i Kinostudios  “…dhe të gjithë ishim në ankth, kur vinte ai për ta pyetur sesi kishte reaguar. Ai vinte gjithë fodullëk, sepse e ndiente veten të rëndësishëm dhe thoshte “E pëlqeu, e pëlqeu.”

Reagimi i diktatorit zakonisht vinte shpejt, të nesërmen apo të pasnesërmen pasi kishte parë filmin. “Enver  Hoxha ishte figurë enigmatike dhe e frikshme. Nëse doje të bëje një vepër tënden, ishte e vështirë”, shprehej kineasti.  

Por do të vononte me një javë, pas shfaqjes së filmit “Lulëkuqet mbi mure”. Heshtja, rrëfente Anagnosti e bëri të vuante shumë, duke parandjerë se nuk fliste për mirë. Kishte rrezikuar ndoshta me alegorinë, shtegu që i bënte krijuesit që jetonin në regjime autoritare, t’i përvidheshin censurës.

“Filmi kishte të bënte me fashizmin, por çfarë ndryshimi kishte nga komunizmi?!Besoj se shumë e kishin kuptuar”, rrëfente vite më vonë Anagnosti. Censura e atyre viteve ishte, në fjalët e kineastit, një këmishë force. Të gjithë kërkonin mënyrat për t’u përshtatur. Madje edhe atyre në industrinë e filmit iu pat bërë e qartë që në krye të herës, se filmi nuk ishte mall, por propagandë.

“Në fund, shoku Enver tha: “Këta janë fëmijët e partisë.””. Pas kësaj, tregonte ai, kishte fjetur një javë nga lehtësimi. Regjisorët e Kinostudios jetonin në ankth, derisa të miratohej filmi dhe, kontrolli ideologjik qe jo vetëm i fortë, por edhe i imtë, duke kaluar përmes shumë etapash.

Gjatë asaj periudhe, realizoi filma si “Duel i heshtur”, “Plagë të vjetra”, “Malet me blerim mbuluar”, “Lulëkuqet mbi mure”, “Cuca e maleve”, “Monumenti”, “Në shtëpinë tonë”, “Vëllezër dhe shokë”. Janë 14 filmat artistikë që mbajnë firmën Anagnosti.

“Në shtëpinë tonë”, e pranon ai, ishte i vetmi film ku trajtoi temën e ditës, por edhe aty qasja qe më shumë shoqërore. Kjo do t’i linte hapësirë pak më të madhe veprimi.

Krahas shmangies së temave aktuale, Anagnosti pat zgjedhur t’u rrinte larg edhe filmave dokumentarë, duke realizuar gjatë karrierës fare pak, vetëm dhjetë syresh.

I vetmi film dokumentar – me porosi nga lart- pranonte ai, ishte “Kujtime nga Gjirokastra”,  bazuar në kujtimet e Enver Hoxhës, “Vitet e vegjëlisë”. “U thashë që nuk di të bëj,  sepse nuk kam bërë dokumentare , por pa negociatash e pashë që duhej bërë”, pranonte Anagnosti. Ishte viti 1983, dy vjet para vdekjes së diktatorit, i cili atëkohë qe rënduar nga shëndeti, ndërsa frerët e censurës qenë në duart e Ramiz Alisë.

Ishin vite kur Anagnosti realizonte filma si “Gurët e shtëpisë sime”, “Përrallë nga e kaluara” apo “Kthimi i ushtrisë së vdekur”, bazuar në romanin e Ismail Kadaresë, “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”.  Subjekti mund të qe ekranizuar më 1975-n nga Radiotelevizioni Shqiptar dhe i pat kaluar kufijtë me produksionin franko-italian, ku interpretonte aktori i famshëm Marcello Mastroiani, por monologu i plakës Nicë interpretuar nga Roza Anagnosti do të mbetej gjatë jo vetëm në historinë e kinematografisë shqiptare.

Ndërrimi i regjimeve do ta gjente të përfshirë në politikë, ndonëse për një kohë të shkurtër.  U angazhua në lëvizjen demokratike për pluralizmin në Shqipëri, motiv për të cilin zgjidhet edhe deputet i Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë , nga 1991-1996.

Më 1992-shin u emërua  ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, post të cilin e mbajti deri në 4 dhjetor 1994, ku dha dorëheqjen. Ndër punët e mira që realizoi në krye të ministrisë, rendiste Ligjin për Kinematografinë.

Ideoi dhe u zgjodh në krye të  Fondacionit për Artin dhe Kulturën “Fan Noli”. Në vitin 2001 shkroi, dhe vuri në skenë në Teatrin Kombëtar dramën e vetme “Nata e trokitjeve në xham”.

Anagnosti në sheshxhirimin e filmit, “Gjoleka, djali i Abazit”

Pasi kishin kaluar vite nga filmi i tij i fundit “Kthimi i ushtrisë së vdekur”, Anagnosti u shfaq me filmin “Gjoleka, djali i Abazit”. Një skenar i shkruar herët prej tij, si në shumë prej prodhimeve që mbajnë firmën e tij regjisoriale, duke u cilësuar sot si filma-autor.

“Ishte skenar i shkruar dhe desha ta bëj,  në vazhdimësi,  pa pretenduar për të bërë një temë moderne. Desha të rri në shtratin tim”, zbulonte Anagnosti.  Filmi u nderua me dy çmime ndërkombëtare, në Itali.

Gjatë krijimtarisë kinematografike, pohonte ai, kishte pasur shumë fëmijë. Jo vetëm te Lulëkuqet mbi Mure”. “…mendoj se janë aktorë më të mirë, sepse nuk luajnë, ata jetojnë”, thoshte ai. Duhej vetëm t’u krijoje kushtet e duhura që ata ta jetonin filmin.

Me kalimin e viteve, letërsia u kthye në një pasion që i kaloi skenarët kinematografikë. Shkroi 15 të tillë dhe rrëfente se në  nëntëdhjetë përqind të rasteve i shkroi vetë skenarët për filmat e tij, por shkroi të tillë edhe për kolegë regjisorë.

Siç e pat rrëfyer në një intervistë televizive, zgjedhja e parë e studimeve , qëkur ishte gjimnazist në Vlorë, ishte letërsia.

Tituj të botuar, me autorësi të Anagnostit” janë “Përrallë nga e kaluara”, “Gjoleka, djali i Abazit”,  dramën “Nata e Trokitjeve në xhama”, romani “Koburja nga Europa” dhe  skicat e tregimet “Ulliri, pema e dhimbjes”, botuar më 2019-n.

“Koburja nga Europa” e pat shkruar si skenar, që nuk mundi ta realizojë film, gjatë periudhës së diktuarës.

“Nuk e kam bërë film,  sepse një film i tillë nuk do të pranohej nga Kinostudioja”,  thoshte ai, pas përurimit të librit, i bazuar në një ngjarje të vërtetë në Himarën gjatë Luftës së Dytë Botërore.

“Filmi kërkon industri që nuk ekziston në Shqipëri dhe për ta realizuar duhet të shpenzosh dy apo tre vite”, thoshte e kjo kohë në moshën e tij kushtonte.

Vepra e Anagnostit, do të shprehej presidenti Meta, mbetet frymëzim për shqiptarët edhe sot.

“Kultura jonë kombëtare në tërësi dhe arti i kinemasë shqiptare në veçanti, kanë qenë me fat, që kanë në panteonin e tyre të nderit edhe emrin e veprën e Dhimitër Anagnostit”, u shpreh kreu i shtetit gjatë ceremonisë që nderoi zotin Anagnosti, ndërsa më herët kineasti ka marrë titullin “Artist i Popullit”. 

Në moshën 85 –vjeçare, me një karrierë të gjatë në kinematografi dhe një magjepsje për filmin që nisi në adoleshencë kur pa të parin film në kinematë e Vlorës e që të ndërmend “Cinema Paradiso”-n e Tornatores, Dhimitër Anagnosti ka plot për të kremtuar.

Nga ceremonia vlerësimit të regjisorit dhe kineastit të shquar, Dhimitër Anagnosti me Dekoratën e lartë “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.

“Diku, dikur kam shkruar, në pleqëri njeriut i dobësohet shikimi sepse nis të shoh brenda vetes se sa jashtë saj.  Juridikisht jam i pavdekshëm sepse ADN-ja  ime udhëton në përjetësi përmes brezave në vijim. I them këto rreshta që të bisedoj me fëmijët e mi, më fëmijët e tyre me breza më tej e më tej, për të kuptuar çfarë i jep jetës nxitje, energji e kuptim”, shprehej kineasti përmes zërit të së shoqes, Rozës.

Jo vetëm gjenetikisht. një kineast përjetësohet në kujtesën kolektive, përmes veprës dhe në rastin e tij, që diti ta shmangë prej natyrës a intuitës temën politike të atyre kohëve, kur edhe dora e propagandës ishte më e fortë.

Filmat e tij mund të shihen jo vetëm për nostalgji, kureshti antropologjike për të zbuluar pas një epokë apo jetesën nën një regjim, por edhe për të shijuar një prodhim, regjisori i të cilit u mundua fort ta ruajë nga stuhitë e kohës…Përgatiti: Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë