Gjatë ditëve të fundit janë raportuar vdekje të personave pasi kanë marrë vaksinën anti-Covid-19. Gjashtë njerëz vdiqën gjatë provave të vaksinave Pfizer-BioNTech, por vetëm dy prej tyreve iu ishte dhënë vaksina. 33 persona mbi moshën 75 vjeç vdiqën javën e shkuar në Norvegji pasi u vaksinuan për Covid-19, por autoritetet shëndetësore të këtij vendi thanë se nuk ka “lidhje direkte” mes vdekjes së tyre dhe injeksionit. Ndërsa dje është raportuar se edhe vaksina e kompanisë “Moderna” shkakton alergji.
Por cilat janë efektet anësore të vaksinave, të cilat deri më tani kanë të vërtetuar vetëm efikasitetin ndaj virusit Sars-Cov-2?
Përpos reaaksioneve tipike që ka një vaksinë, është raportuar nga Agjencia Europiane e Medikamenteve se vaksina anti-Covid ka shkaktuar alergji. Këto vaksina të reja dhe të ndryshme nga vaksinat e mëparshme. Ato tregojnë strukturimin e një pjesëze të virusit. Vaksinat e tjera janë vaksina me vektor, të cilat përdorin adenoviruset në mënyrë që të depërtojë proteina sipërfaqësore e virusit SARS-CoV-2, e njohur si proteina Spike dhe kështu të shkaktojnë reagimin imunitar.
Edhe sipas ekspertit të shëndetit publik, Erion Dasho, nuk ka të dhëna efektive se vdekjet lidhen me vaksinimin që ka nisur prej pak kohësh. Për sa u përket alergjive Dasho thotë se ka pasur raste të alergjisë, madje dhe forma të rëndë të alergjisë duke kaluar në anafilaksi.
“Unë nuk kam të dhëna për vende që e kanë ndërprerë vaksinimin, të paktën me ato burime që konsultohem unë, vaksinimi vazhdon, janë mbi 50 vende të botës që kanë filluar vaksinimin dhe kryesorja që i ka penguar deri tani, në vendet e fuqishme që kanë mundur të sigurojnë një numër të madh vaksinash, ka qenë sfida logjistike, të cilat, për të qenë të ndershëm, janë kudo të pranishme. I vetmi që arriti t’i kapërcente sfidat logjistike, ka qenë Izraeli, i cili ka arritur të administrojë rreth tridhjetë doza vaksine për 100 banorë, një numër jashtëzakonisht i lartë ky, ndërsa vendet e tjera pastaj, e kanë pasur të kushtëzuar ecurinë, nga numri i kufizuar i vaksinave që kanë mundur të sigurojnë,” është shprehur eksperti në intervistë për mediat.
Sipas tij, vaksina është e vetmja armë që duhet ta kenë të gjithë. Eksperti shpjegon se është e vetmja mënyrë për të ndërprerë pandeminë.
“Nuk ka asnjë procedurë mjekësore që të ketë siguri 100% apo të mos ketë komplikacione, kjo nuk ekziston. Ne flasim me ligje probabiliteti, pra deri tani në botë janë vaksinuar më shumë se 50 milionë njerëz dhe të gjitha të dhënat flasin për një vaksinim të sigurtë”, ka shtuar eksperti.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.