Shendet

Numri i të shëruarve i pakuptueshëm, si e dimë që jemi të shëruar nga Covid-19?

Megjithëse ditët e fundit është pranuar zyrtarisht se numri i të infektuarve është rritur, numri i të shëruarave ndjek të njëjtin ritëm. Disa ditë më parë gjatë konferencës online të Komitetit Teknik, Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu kur prezantoi situatën epidemiologjike e pohoi se ka pasur një rritje të incidencës dy javore: rreth 217 raste për 100 mijë banorë.

Sipas Drejtueses së Departamentit të Sëmundjeve Infektive në ISHP, Silva Bino incidenca paraqitet më shumë tek moshat e reja.
Për disa ekspertë kjo marrëdhënie shifrash nuk duhet të jetë e tillë ndaj, Gazeta “Si” ka drejtuara pyetjen:

Ilir Alimehmeti


Si përcaktohet që një person është shëruar nga Covid-19?
Gazeta “Si” u interesua në Ministrinë e Shëndetësisë për këtë fakt por nuk mori një përgjigje. Ndërkaq, epidemiologu Ilir Alimehmeti i ka shpjeguar Gazetës “Si” se që prej datës 14 tetor ku u përcaktua rregulli i përgjithshëm nga OBSH, personat mund të konsiderohen të shëruar pa pasur nevojë për një tampon që ta vërtetojnë.
Eksperti shpjegon se kjo funksionon gjithnjë nga rastet e ndjekura në spital ose nga mjeku i familjes.
“Për asimptomatikët, mjafton të qëndrohet vetëm 10 ditë në karantinë dhe nëse nuk kanë shenja e nuk kanë komunikuar pas këtyre 10 ditëve me mjekun e familjes, ahere konsiderohen të shëruar. Ndërsa për rastet e lehta, që të konsiderohen të shëruar duhet që personat të qëndrojnë 10 ditë në karantinë dhe mund të konsiderohen të shëruar nëse për 3 ditë rresht nuk kanë temperaturë,” shpjegon Alimehmeti.
Pra thjesht fakti që ka kaluar një numër ditësh dhe automatikisht nëse nuk ke temperaturë quhesh zyrtarisht i shëruar në letrat e ministrisë së Shëndetësisë

Fabian Cenko

Por si shihet numri i të shëruarve në një kohë kur incidenca e infektimit është e lartë?
Sipas Ekspertit të Shëndetit Publik, në Universitetin “Zoja e Këshillit të Mirë”, Fabian Cenko, ka një produkt të pashmangshëm matematikor. Ai shpjegon se ecuria e sëmundjes në popullatë kërkon me shumë të dhëna sesa thjesht krahasimi i numrit te të sëmurëve aktive dhe atyre te të shëruar në një moment të caktuar kohe. Eksperti Cenko shpjegon se numri i lartë i të shëruarve reflekton dy faktorë: numrin e lartë të të sëmurëve në popullatë që prej muajit shtator të vitit të kaluar e në vijim, për shkak të rregullit të aplikuar nga nëntori 2020 kur të shëruarit nuk “vërtetohen” me tampon negative. Gjithashtu edhe faktin se kjo metodë është përdorur për arsye alogaritmi që të shmanget kërkesës për burime njerëzore dhe materiale e për rrjedhojë të shmanget mbingarkesa e sistemeve shëndetësore. Cenko shpjegon se kjo procedurë është realizuar nga të gjitha vendet e BE, gjithashtu ai shpjegon se të gjitha rezultatet e tamponëve që kryen në shërbimin shëndetësor privat i dërgohen ISHP-së duke u bëre pjesë e database-it kombëtar.
Ndërkaq, tek shifrat e raportuara nga autoritetet vërehet përsëri një mungesë të dhënash, pasi në gjithë numrat e listuar kemi një numër total të të shëruarve dhe jo specifikim. Nuk ka një të dhënë se sa të shëruar dalin nga spitali dhe sa të shëruar janë ndjekur nga mjeku i familjes. Një episod i njëjtë me rastet aktive ku nuk dimë se sa prej tyre janë asimptomatikë.
Kjo është e rëndësishme për faktin se që prej fillimit OBSH ka deklaruar se të infektuarit me Covid-19 mund të infektojnë të tjerët, edhe pasi shërohen dhe nuk kanë simptoma. OBSH ka deklaruar se e vetmja masë për të minimizuar transmetimin këtë rast është distancimi social dhe mbajtja e maskës, ku është vënë re se qytetaret nuk shquhen shumë dhe jo gjithmonë ndëshkohen.
Edhe në botë ekziston një debat i tillë. Ekspertët e huaj kanë shpjeguar se autoritetet duhet të vëzhgojnë me saktësi popullatën për virusin ose antitrupat e virusit. Mënyra e vetme për të marrë një numër të vërtetë të të shëruarve do të ishte ndjekja e vazhdueshme e pacientëve, e sipas një prej ekspertëve të shëndetit publik në Northwestern, Kejsi Kelly kjo kërkon burime të konsiderueshme njerëzore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë