Për Los Anxheles Lejkërs vjen suksesi i shtatë në po kaq ndeshje të luajtura në transfertë. Këtë herë kampionët kanë mundur Oklahomën, falë 26 pikëve të LeBron Xhejms. Luka Donçiç ka udhëhequr Dallasin kundër Sharlot, kanë fituar edhe Klipersat ndaj Nju Orlins. Një tjetër fitore për Milluokin e Janis Antetokounmpo ndaj Detroit. Bruklin ka triumfuar në derbin e Nju Jorkut.
Shtatë fitore në shtatë ndeshje jashtë fushe është një rekord për Lejkërsat, nuk ka ndodhur kurrë më parë. LeBron Xhejms ka udhëhequr skuadrën e tij me 26 pikë, 6 ribaunde dhe 7 asiste, i ndjekur nga Montrezl Harrell me 21 pikë dhe Antoni Devis me 18 pikë. Oklahoma e pati shumë të vështirë pa veteranin Al Horford, i lënë pushim.
Dallasi ishte mundur në fushën e vet nga Sharlot pak javë më parë, por këtë herë ishte tjetër histori. Pas një periode të parë të dominuar 32-16, Maveriks festojnë në mënyrën më të mirë rikthimin në fushë të Kristaps Porzingis, shënues i 16 pikëve. Luka Donçiç ka shkëlqyer me 34 pikë në 35 minuta, 13 ribaunde, 9 asiste, 2 rikuperime dhe 4 stopime. Tim Harduej Jr shënoi 18 pikë. Përveç humbjes, Hornets kanë marrë edhe lajmin e keq të dëmtimit të rëndë të Gordon Hejuard, i cili la fushën në periodën e fundit.
Rezultatet
Oklahoma-Lejkërs 99-128
Charlot-Dallas 93-104
Klipers-Nju Orlins 111-106
Detroit Pistons-Milluoki 101-110
Nju Jork-Bruklin Nets 109-116
Sakramento Kings-Portland 126-132
Minesota-Memfis 107-118
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.