Gjykata Kushtetuese publikoi të mërkurën vendimin e plotë që çon Kosovën në zgjedhje të parakohshme, por jep një përgjigje shteruese edhe për çështjen e kandidatëve për deputetë, duke lënë të hapur një debat qysh prej 21 dhjetorit nëse Albin Kurti ka të drejtë të kandidojë për deputet këto zgjedhje apo jo.
Adnan Rrustemi, anëtar i KQZ-së në VV, ka sqaruar më herët se Kurti dhe disa të tjerë janë të dënuar me kusht, në bazë të Kodit Penal dhe se, dënimi me kusht nuk ka efekte dhe pasoja juridike.
Edhe përfaqësuesi ligjor i Lëvizjes Vetëvendosje, Blerim Sallahu komentoi lidhur me këtë çështje.
Ai u shpreh se devijimi i përmbajtjes së Kushtetueses në një element që nuk ka qenë objekt as i kërkesës së VV-së e as vetë Gjykatës nuk është gjë tjetër veçse dashakeqësi.
Sallahu thotë se këto rrethana nuk mund të vlejnë në raste të tjera për faktin se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese nuk ka efekt prapaveprues në këtë rast.
Sipas tij, kandidatët e tjerë që janë dënuar me dënim me kusht në vitin 2018 janë lejuar të kandidojnë në zgjedhjet parlamentare.
Sallahu shton se në atë kohë kufizimi nuk ka ndodhur për shkaqe që tashmë dihen e që janë në përputhje me ligjet në fuqi.
Por, mediat në Kosovë kanë publikuar të mërkurën një tjetër interpretim juridik.
Njohësi i çështjeve juridike, Ehat Mitaraj, është shprehur se me aktgjykimin e plotë të Gjykatës Kushtetuese, u ndalohet të gjithë atyre që janë të dënuar në tri vitet e fundit me vendim të formës së prerë, të kandidojnë për postin e deputetit. Me këtë vendim, sipas tij, preket edhe lideri i VV-së, Albin Kurti, të cilit Apeli ia ka vërtetuar dënimin me kusht në verën e vitit 2018. Pra, ende nuk kanë kaluar 3 vjet.
Miftaraj tha se aktgjykimi vetëm sa ka konfirmuar atë që ka thënë Kushtetuesja në vendimin e parë për këtë rast, më 21 dhjetor.
“Me këtë aktgjykim, Kushtetuesja ka rikonfirmuar atë që është thënë në vendim e parë, se të gjithë të dënuarit në tri vitet e fundit me vendim të formës së prerë nuk do të mund të kandidojnë për deputetë, përfshirë edhe Kurtin”, ka thënë Miftaraj.
Ky aktgjykim i Kushtetueses, vjen si rezultat e kërkesës së VV-së për vlefshmërinë e votës së deputetit Etem Arifi, i cili mundësoi ngritjen e Qeverisë Hoti.
Kushtetuesja shpalli të pavlefshme votën e Arifit, duke rrëzuar për pasojë qeverinë “Hoti”.
Edhe ish-kryetari i Kushtetueses, Enver Hasani, duke folur për Radion Evropa e lirë, tha se aktgjykimi e ka qartësuar se të gjithë personat e dënuar me gjykim të formës së prerë në tre vjetët e fundit, nuk kanë të drejtë të kandidojnë për deputetë dhe të marrin mandat nga Kuvendi i Kosovës.
“Nuk ka të drejtë, është e qartë ajo që e ka thënë Gjykata Kushtetuese”, tha Hasani.
Megjithatë, ai shtoi se Albin Kurti mund të nominohet për postin e kryeministrit, nëse partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje, i fiton zgjedhjet.
Por ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, është shprehur se, së shpejti do të caktohet data e zgjedhjeve dhe se Albin Kurti do t’i prijë listës së Vetëvendosjes.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




